Qëllimi kryesor i stërvitjes ishte harmonizimi dhe realizimi i detyrave të Policisë Ushtarake në operacione për të ndërvepruar ndaj rreziqeve.
Në rajonin e Bizës të Qarkut të Tiranës është zhvilluar stërvitja “Sfida e Përbashkët 16” nga Policia Ushtarake e Shqipërisë, e cila ka zgjatur disa ditë dhe ka përfunduar sot .
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes qëllimi kryesor i stërvitjes ishte harmonizimi dhe realizimi i detyrave të Policisë Ushtarake në operacione për të ndërvepruar ndaj rreziqeve, rritja e nivelit të aftësive profesionale dhe personale në përmbushjen e detyrave operative.
Gjithashtu një nga objektivat e kësaj ishte edhe për dhënien e kontributit të kësaj policie në mbështetjen ndaj Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në operacionet e emergjencave civile dhe krizave humanitare.
Gjatë stërvitjes “Sfida e Përbashkët 16”, trupat pjesëmarrëse improvizuan ushtrime me tematikë të skenarit të stërvitjes, pjesë e angazhimit të Policisë Ushtarake në emergjencat civile.
Stërvitja e cila ka përfunduar sot filloi më 9 korrik, ndërsa pjesë e saj u bënë dhjetëra pjesëtarë të Policisë Ushtarake të Shqipërisë.