Lajme

Policia sekuestron mbi 10 kilogramë heroinë në Merdare

By FerizajPress

April 07, 2024

Policia e Kosovës ka kapur 10 kilogramë drogë të llojit heroinë dhe e ka arrestuar një 65-vjeçar me në pikëkalimin kufitar në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Merdar.

Drejtori i Antidrogës, major Reshat Murseli tha në konferencën e jashtëzakonshme për media se droga u gjet në një automjet me targa kroate, të cilin po e ngiste kosovari me inicialet A.L., raporton Gazeta Express.

“Te një automjet me targa kroate, e llojit Renault Megane, të drejtuar nga personi tanimë i dyshuar A.L., 1959 – shqiptar, shtetas kosovar dhe kroat, i cili ishte në dalje nga territori i Kosovës, hetuesit kanë hasur në indikacione të dyshuara dhe kanë ndërmarrë kontroll të detajuar, duke u mbështetur nga njësitet e flotës policore dhe kanë arritur që në pjesën me bagazh të kamufluar në gomën rezervë të automjetetit të gjejnë 20 paketime të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë. Ndërsa në derën e bagazhit, gjatë kontrollit, në pjesë të brendshme, në cilësi të provës materiale, po ashtu janë gjetur të fshehura 2500 euro dhe një telefon celular”, tha ai.

Museli tha se kjo ishte pjesë e një plani taktik të koduar si “Pika 2”, që ka nisur në orët e mëngjesit, të mbështetur nga Policia Kufitare dhe Dogana e Kosovës.

Ai tha se kanë filluar “me kontrolle duke selektuar disa automjete për kontroll në vijën e dytë kontrolluese”.

Me këtë rast, Policia ka konfiskuar si prova edhe disa para, dy telefona dhe veturën me të cilën bartej droga.

Personi i arrestuar u tha se “është duke u intervistuar, dhe pritet ndalimi policor për 48 orë”.

“Vlera e kësaj substance narkotike sillet rreth 20-25 mijë euro për kilogram në tregun e Kosovës, e që do të përllogaritej si 200-250 mijë euro vlerë totale”, tha drejtori i Antidrogës.

“Sipas hetimeve, destinacioni i këtyre narkotikëve në rastin konkret është i destinuar për tregun jashtë Kosovës, gjegjësisht vendet e BE-së”, tha ai, duke paralajmëruar hetime të mëtejme.