Policia e Kosovës ka iniciuar dy raste penale lidhur me posedim të paautorizuar të narkotikëve dhe armëve, pas një intervenimi të zhvilluar më 7 korrik 2025 në Ferizaj.
Sipas njoftimit nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, rreth orës 20:00, Njësiti i Hetimeve në bashkëpunim me njësitin reagues ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor një 22-vjeçar me inicialet P. R., tek i cili gjatë kontrollit trupor janë gjetur substanca të dyshuara narkotike.
Ndaj tij është hapur rast penal për veprën “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
Hetimet paraprake kishin siguruar gjithashtu një fotografi ku i dyshuari shihej duke poseduar armë zjarri. Si rezultat, policia ka ndërmarrë një aksion kontrolli në fshatin Pleshinë të Ferizajt. Gjatë kontrollit, janë sekuestruar një pushkë e gjatë përsëritëse me 26 fishekë, si dhe një pushkë gjuetie artizanale me 12 fishekë.
Pas verifikimeve është konstatuar se armët i përkisnin një personi tjetër, 47-vjeçarit I. R., i cili posedonte leje për to, por e cila kishte skaduar. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e procedurave për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Të dy të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.