Lajme

Policia e Gjakovës nuk komenton komunikatën e rrëzuar nga prokuroria për vrasjen në Gjakovë

By FerizajPress

August 26, 2018

“Me datën 20. 08. 2018 në ora 00;05 minuta Stacioni Policor në Gjakovë përmes telefonit është, njoftuar nga Emergjenca e spitalit se kanë pranuar një person të lënduar me armë zjarri. Menjëherë policia ka shkuar në Emergjencë dhe nga mjeku kujdestar ju ka konfirmuar se personi i plagosur nga arma zjarrit veç kishte vdekur”, thuhej në njoftimin e policisë.

Tutje Policia kishte thënë se gjatë hetimit të rastit dhe zbardhjes së vrasjes ishte kuptuar se ‘derisa në ballkon të shtëpisë bisedonin burrë e grua Xh.Sh, egjiptas/kosovar si dhe R.Sh e moshës 61 vjeçare, egjiptase/kosovare, është dëgjuar një e shtënë me armë’.

Pas ngjarjes, bashkëshorti i 61 vjeçares, ishte larguar nga vendi i ngjarjes ku më pas edhe ishte kapur nga policia dhe ishte arrestuar.

Në po të njëjtin ditë kur Policia e Gjakovës lëshoi njoftimin për vrasje aksidentale edhe prokuroria dërgoi një njoftim të tillë me të dhëna të njëjta sikurse policia.

Dy ditë pas vrasjes së 61 vjeçares në Gjakovë, Prokuroria e Shtetit kishte ndërruar qasje sa i përket kualifikimi të ngjarjes.

Rasti i cili në komunikimet e policisë ishte trajtuar si një vrasje aksidentale është rikualifikuar nga prokuroria si një vrasje e rëndë.

Gjatë parashtrimit të kërkesës për caktimin e paraburgimit të bashkëshortit të 61 vjecares, Prokuroria Themelore në Gjakovë rastin e ka cilësuar si vrasje e rëndë.

Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, thuhet se i pandehuri Xhafer Shkodra me armë ka shtënë një herë në gjoks drejt bashkëshortes së tij dhe pas kësaj është larguar në drejtim të panjohur.

Në një përgjigje për kallxo.com, zyra për informim e Policisë së Rajonit të Gjakovës nuk ka dashur ta komentoj rastin, por ka rekomanduar që të drejtohen në prokurori.

“Sa i përket kësaj çështje referohuni në komunikatën e dhënë nga Policia e Kosovës. Rasti i kompletuar nga Sektori Rajonal për Hetime është dorëzuar në kompetence të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, andaj për çdo informacion shtesë ju lutem kontaktoni këtë prokurori”, thuhet në përgjigjen e policisë.