Lajme

Policë nga Italia për turistët në Shqipëri

By FerizajPress

July 24, 2018

Fiore është koordinator i migracionit në Policinë e Barit dhe ka vënë re se vit pas viti italianët po e frekuentojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë.

“Kemi ardhur këtu dhe kemi nisur patrullimin së bashku me kolegët shqptarë, që më 16 korrik dhe do shërbejmë deri më 31 gusht. Gjatë 2 viteve të fundit, numri i shtetasve italianë që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet, është trefishuar. Italianët e zgjedhin Shqipërinë sepse ka vende shumë të bukura dhe ofron çmime të mira. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me kolegët e policisë shqiptare”, tha ai, shkruan Top Channel.

Fiore është një nga gjashtë efektivët italianë që ka arritur në Shqipëri për masat gjatë sezonit turistik. Ai thotë se ka kontaktuar me disa turistë nga vendi i tij.

“Pasi vijnë në Vlorë, pushuesit italianë lëvizin drejt Sarandës, Ksamilit, por edhe destinacione të tjera. I kemi ndihmuar për të gjetur rrugën, ndërsa një qytetar italian, mesa duket ishte apasionuar aq shumë me Shqipërinë, sa kishte harruar dhe kishte shkelur afatet e qëndrimit”, tregoi një efektiv policie.

Por në Vlorë nuk ka vetëm turistë italianë.

“Kemi hasur turistë të kombësive të ndryshme, gjermanë, polakë, etj, të cilët i kemi ndihmuar, duke komunikuar në anglisht ose italisht”, tha efektivja e policisë, Silvi Binaj.

Në plazhe, Policia vijon shpërndarjen e fletpalosjeve për orientimin e turistëve të huaj.