Lajme

Podgoricë: Ndalesë e hyrjes për 149 rusë dhe ukrainas

By FerizajPress

June 03, 2017

Këta persona, që janë vendosur në listën e zezë të Malit të Zi, janë selektuar për shkak të rolit të tyre në aneksimin ilegal të Krimesë së Ukrainës, në vitin 2014, me ç’rast është shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës, kanë raportuar mediat në Podgoricë, duke i cituar zyrtarët qeveritarë.

Sipas raporteve, në listën e personave të padëshiruar përfshihen, zëvendëskryeministri rus, Dmitry Rogozin, shefi i shërbimeve të inteligjencës, Nikolai Patrushev, presidenti i Republikës së Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, e të tjerë.

Në vitin 2014, Mali i Zi iu bashkua sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, të imponuara për shkak të agresionit të Moskës në Ukrainë.

Ky faktor ishte dhënë si shpjegim kur autoritetet e Rusisë, më 28 maj, nuk e lejuan hyrjen e ligjvënësit malazez, Miodrag Vukoviq, në Rusi.

Pas këtij incidenti, zyrtarët e Malit të Zi thanë se Rusia e kishte një listë sekrete të afro 50 liderëve të Malit të Zi, të cilëve nuk u lejohej hyrja në Rusi, përfshirë kryeministrin, Dusko Markoviq, kryetarin e Kuvendit, Ivan Brajoviq, dhe liderin e partisë udhëheqëse në qeveri, Millo Gjukanoviq.