Ferizaj

Po shkatërrohet treni muze ‘Bllaca 99’, kërkohet roje fizike për ruajtje

By FerizajPress

May 17, 2019

Më 10 prill të këtij viti, në fshatin Bllacë të Hanit të Elezit u shënua 20-vjetori i gjenocidit serb dhe spastrimit etnik “Bllaca 99”.

Mirëpo, nuk ka kaluar shumë kohë dhe ky tren që u shndërrua në muze, u shkatërrua nga persona të papërgjegjshëm.

Komuna e Hanit të Elezit ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit që ta mbikëqyrë dhe mirëmbajë trenin muze, i cili pas një periudhe të shkurtër të inaugurimit ka filluar të demolohet. Një kërkesë e tillë ende nuk është shqyrtuar.

Një muaj më parë nën patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është vendosur edhe gur themeli i muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, në vijën kufitare në Han të Elezit – Bllacë, mirëpo trenin muze nuk po e mbikëqyr askush, ndërkohë ai po shfrytëzohej për punë të këqija nga grupe të ndryshme, .

Madje gjatë vikendit atij i janë thyer edhe disa xhama dhe është dëmtuar interieri i brendshëm. Rreth kësaj çështjeje ka reaguar kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, për të sqaruar se me kohë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të punësojë roje fizike për ruajtjen e trenit muze, i cili pas një periudhe të shkurtër të inaugurimit ka nisur të demolohet.