Ferizaj. 18.03.2017. Sot ka filluar asfaltimi i dhjetë rrugëve të Lloshkobares së Ferizajt. Dhjetëra banorë e ndoqën fillimin e vendosjes së asfaltit, duke theksuar se zbatimin e këtij projekti e kishin pritur qe njëzet vjet.
Gjatë ditëve në vijim në këtë vendbanim do të asfaltohen rrugët: “Musli Selmani”, “Shkalla e Tafës”, “Selman Selmani”, “Muharrem Meha”, “Zuka”, “Feriz Rexha”, “Rruga e Pejës”, “Bazamenti”, “Krenaria A+B” dhe “Imri Ahmeti”.
Kryetari i komunës Muharrem Svarqa, u tha medieve se sivjet pritet që Ferizaj të jetë kantier i vërtetë punimesh.
“Pas asfaltimeve në Rahovicë, tashmë po asfaltojmë rrugët e Lloshkobares, e cila është një lloj paralagjeje e Ferizajt për shkak të afërsisë me qytetin. Pra, po hyjmë në një sezon punimesh, kur do të ketë investime kapitale në komunën e Ferizajt në shumë mbi 8 milionë euro nga buxheti komunal, si dhe mjetet shtesë që vijnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës si dhe nga ato mjete që vijnë nga BERZH, duke e çuar shumën e investimeve mbi dhjetë milionë euro. Me këto investime Ferizaj sivjet do t’i ngjajë një kantieri pune. Nga këto investime natyrisht se do të përfitojnë qytetarët e komunës së Ferizajt. Ky segment që po asfaltohet aktualisht, shpie drejt Parkut të Lirisë, krijon mundësi për t’u ndërlidhur me rrugën drejt Nerodimes e Jezercit, gjë që e shton edhe më shumë rëndësinë e këtij investimi”, veçoi kryetari Svarqa.
Ndërkohë drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Gafurr Ilazi, saktësoi se rrugët që po asfaltohen, kapin një gjatësi të përgjithshme prej 3.300 metrash, me një kosto prej rreth 240 mijë eurosh. Ai bëri të ditur se veç këtij fshati, po punohet edhe në fshatra të tjerë, në projekte të filluara vitin e kaluar si në Komogllavë, Greme, Nerodime e në Prelez të Muhaxherëve, ndërsa Komuna është në fazën e inicimit të procedurave për projektet e këtij viti në vendbanime të tjera të Ferizajt.