Lajme

Plot mallra serbe në tregje, Shala thotë se kosovarët po i bojkotojnë ato

By FerizajPress

April 12, 2019

Në pyetjet parlamentare, ministri i Tregtisë, Endrit Shala është pyetur se si është e mundur që pas vendosjes së taksës, raftet janë të mbushura me produkte serbe, shkruan lajmi.net.

Shala me këtë rast tha se prej marrjes së vendimit për vendosjen e flamujve nëpër produkte janë realozuar mbi 1 mijë inspektime.

“Një mijë inspektime  janë realizuar për vendosjen e flamujve të origjinës. E them me kompetencë të plotë që çdo ditë inspektoratet komunale dhe ato të MTI-së po realizojnë inspektimin e pikave të shitjes”, ka thënë ai.

Sipas Shalës, njëra ndër arsyet se pse raftet janë plotë me produkte serbe, është edhe hyrja në fuqi e ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit ku përfshihet edhe vendosja e flamujve, me ç’rast sipas tij qytetarët e Kosovës nuk i kanë blerë më produktet e Serbisë.

“Ju e dini se parlamenti e ka miratu ligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe kjo ka sjellë vetëdijësimin e qytetarëve që nuk po i blen produktet e Serbisë. Me hyrjen në fuqi të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit dhe vendosjen e flamujve ne i kemi tregu qytetarëve se çfarë produktesh blejnë. Ka edhe mallra të cilat kanë afat më shumë se një vit në pikat shitëse”, ka thënë ai.

Sipas Shalës, në asnjë inspektim nuk është hasur asnjë mall i cili nuk është i pajisur me dokumentacione përktës. /Lajmi.net/