Lajme

Peticioni i mësimdhënësve kundër vendimit të Kushtetueses për Ligjin për paga s’ka efekt

By FerizajPress

January 12, 2020

Rreth 3 mijë nënshkrime të mësimdhënësve nga i gjithë vendi i ka pranuar Institucioni i Avokatit të Popullit nga Sindikata e Arsimit deri këtë të hënë.

Përmes këtij peticioni, i cili Avokati i Popullit pritet t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese, po kundërshtohet vendimi i kësaj të fundit për pezullimin e Ligjit për Paga deri në muajin mars, raporton KTV.

Sindikata e Arsimit këtë veprim e mori bazuar në rregulloren e Kushtetueses, neni 57 paragrafi 10 dhe 11 i së cilës thotë se me kërkesë të palës në çdo kohë para vendimit të fundit, Gjykata mund të revokojë apo të ndryshojë vendimin që ka të bëjë me masat e përkohshme, nëse një revokim ose ndryshim i tillë arsyetohet nga ndryshimi i situatës.

Por, në kërkesën e Sindikatës së Arsimit, Avokati i Popullit nuk ka vërejtur ndonjë argument të mjaftueshëm për këtë çështje të cilin Gjykata do ta merrte për bazë.

Sipas Jasharit, pala e tretë në këtë rast, Sindikata e Arsimit ka mundur që edhe direkt t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Sidoqoftë, Avokati i Popullit do ta procedojë këtë kërkesë, bashkë me mijëra nënshkrimet e tjera të mësimdhënësve.

Ndërkohë, edhe sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, kërkesa e Sindikatës së Arsimit për të dërguar peticion në Kushtetuese përmes Avokatit të Popullit nuk mund të prodhojë asnjë efekt juridik.

Gjykata Kushtetuese e pezulloi hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat deri më 30 mars të 2020-s.

Vendimi për masë të përkohshme ishte marrë, duke miratuar kështu kërkesën e Avokatit të Popullit.