Ferizaj

Përurohet projekti i Via Ferrata-s dhe urës tibetiane në qytetin e Ferizajt

By FerizajPress

May 10, 2025

Ferizaj tashmë është bërë me një destinacion të ri turistik – të parin e këtij lloji në këtë komunë – përmes përurimit të projektit të Via Ferrata-s dhe urës tibetiane, i cili u realizua nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj në bashkëpunim me projektin FEGO, në kuadër të organizatës zvicerane Swisscontact.

Në ceremoninë e përurimit, drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj, z. Balton Derguti, deklaroi:“Ky është vetëm njëri ndër projektet e shumta që kemi realizuar gjatë viteve të fundit me qëllim të zhvillimit të turizmit në komunën tonë. Përmes këtij investimi, synojmë të krijojmë më shumë mundësi për turizëm malor dhe aventurier, duke tërhequr vizitorë vendorë dhe ndërkombëtarë.”

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe përfaqësuesja e organizatës Swisscontact, znj. Shegë Shkodra, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional:“Në komunën e Ferizajt kemi zbatuar disa projekte së bashku, përfshirë këtë të fundit që ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e turizmit alternativ. Dua ta përgëzoj drejtorin z. Derguti për gatishmërinë e tij për bashkëpunim dhe përkushtimin ndaj iniciativave të tilla.”

Në emër të bjeshkatarëve të Ferizajt, fjalën e mori z. Besnik Reka, i cili shprehu falënderimin ndaj institucioneve për përkrahjen e vazhdueshme:“Jemi shumë të lumtur që qytetit tonë po i shtohet një projekt i tillë, i cili ka munguar prej kohësh. Është një mundësi e jashtëzakonshme për adhuruesit e natyrës dhe sporteve malore. Ftojmë të gjithë të interesuarit për ngjitje në Via Ferrata të kontaktojnë Klubin e Turizmit dhe Rekreacionit në Ferizaj, pasi ngjitjet duhet të realizohen gjithmonë nën përcjelljen e guidave të licencuara, për sigurinë e të gjithëve.”

Projekti pritet të ndikojë pozitivisht në ekonominë lokale duke nxitur zhvillimin e turizmit malor, rritjen e numrit të vizitorëve dhe promovimin e resurseve natyrore të komunës së Ferizajt.