Ferizaj

Përurohet pika e 1 e Parkut Memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc

By FerizajPress

July 16, 2021

Me homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Ferizaj, gjatë ditës së sotme kanë filluar aktivitete për përurimin e pikës 1 të parkut Memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë përurim kanë marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi-Bytyqi, deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës Elmi Reçica, drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës, si dhe qytetarë të shumtë.

Me një fjalë rasti të pranishmëve i është drejtuar Imri Ilazi, zëvendëskomandant  i Zonës Operative të Nerodimes. Ai më këtë rast është shprehur se sot po behet inaugurimi i pikës 1, pika më strategjike  dhe fillimi i betejës me okupatorin.

“Nazmi Uksmajli mbetet simbol i rezistencës i cili ra heroikisht me këtë date. Me mburrje e krenari përkujtojmë te gjithë te rënët për liri, gjaku i te cilëve solli lirin e vendit. Kjo ka qenë njëra ndër pikat më të rrezikshme për shkak të territorit që është dashur të mbulohet dhe të mbrohet nga armiku nga Neredimja, ku forcat e armikut kanë qenë këtu shumë afër”, ka thënë Ilazi, përderisa ka falënderuar edhe Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu për punën dhe përkushtimin në realizimin e këtij projekti.

U bë e ditur se në vazhdimësi të këtij projekti,  do të inaugurohen edhe pikat e tjera të Parkut Memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc.