Lajme

Përurohet aneksi i emergjencës primare në QKMF “Dr Vezir Bajrami” në Shtime

By FerizajPress

June 16, 2016

Shtime, 16 qershor 2016 – Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime e shënoi 16 Qershorin – Ditën e Shëndetësisë, me përurimin e aneksit të emergjencës. Fillimisht, nënkryetari i Komunës së Shtimes z. Fatmir Rashiti i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale, drejtoreshën e QKMF-së “Dr Vezir Bajrami”, znj. Mirdita Qeriqi-Hajdari dhe bashkëpunëtorë të tjerë bënë homazhe dhe vunë kurora me lule te varri i Dr. Vezir Bajramit, në Mollopolc.

Pikërisht në Ditën e Shëndetësisë, u përurua aneksi i emergjencës primare, i cili tani e tutje do të krijoj kushte më të mira për shërbime cilësore tek rastet emergjente brenda 24 orëve dhe shërbimeve të mjekësisë familjare. Drejtoresha e kësaj Qendre Shëndetësore, znj. Mirdita Qeriqi-Hajdari duke e hapur tubimin përurues falënderoi ndihmëtarët, të cilët ndihmuan implementimin e këtij projekti. ”Dua sinqerisht t’i falënderoi të gjithë ata që ndihmuan e në veçanti kryetarin e komunës z. Naim Ismajli, i cili ka ndikuar që ky projekt të implementohet. Shëndetësia shtimjane sot po e fiton këtë projekt që realisht do të krijoj kushte më të mira për punë”, tha drejtoresha Hajdari. Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale z. Musë Baftiu, aktin e përurimit të objektit të emergjencës primae e cilësoi si të arritur të shëndetësisë në komunën e Shtimes. ”Kemi investuar mjaft në shëndetësinë shtimjane, afro njëzetë mijë euro me autoambulanca dhe investime të tjera. Dita e Shëndetësisë në Shtime nënkupton 16 qershorin e vitit 1999, atëherë kur dr. Jakup Ismajli dhe dr. Vezir Bajrami, për herë të parë pas lufte i hapën dyert e QKMF-së për pacient”, tha midis të tjerash drejtori Baftiu. Nënkryetari i Komunës së Shtimes z. Fatmir Rashiti i përgëzoi punëtorët shëndetësorë të QKMF-së “Dr Vezir Bajrami”, me rastin e ditës së tyre si dhe me rastin e përurimit të objektit të emergjencës primare. ”Komuna e Shtimes në këtë objekt ka investuar afro dyqind mijë euro dhe janë krijuar kushte të favorshme për personelin shëndetësorë dhe pacientët. Nuk do të ndalemi së investuari edhe në të ardhmen në shëndetësi sepse konsiderojmë se shëndetësia dhe arsimi janë prioritete të qeverisjes sonë. Në këtë përurim do të ishte lëshim ynë po të mos përmendej emri i dr. Vezir Bajramit, si mjek i luftës dhe i paqes, udhëheqës komunal dhe mbi të gjitha si njeri shembullor i kësaj ane e më gjerë”, konkludoi ndër të tjera nënkryetari Rashiti.