Lajme

Personat e lënduar nga minat, të pakënaqur me institucionet

By FerizajPress

April 04, 2016

Personat e lënduar nga shpërthimi i minave gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ende nuk e kanë kujdesin e duhur institucional.

Kështu u tha nga një grup individësh civil të cilët janë lënduar nga shpërthimi i këtyre minave, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Vetëdijesimit për Minat.

Njëri nga shumë qytetarë të lënduar nga këto mina është edhe Arben Takolli, nga fshati Qadrak të Suharekës, në atëkohë 18 vjeçar.

Ai rrëfen momentin e shpërthimit të minës nga e cila kishte humbur babën dhe motrën 18 vjeçare, ndërsa, vetë ende i vuan pasojat duke mbajtur në trup disa copëza të granatës që kishte shpërthyer.

Takolli ndër të tjera shprehët i pakënaqur me kujdesin që kjo kategori ka nga institucionet e Kosovës.

Të pa kënaqur me kujdesin institucional u treguan edhe pjesëtarët e tjerë të grupit, të cilët kishin dal para Qeverisë për të kërkuar mbështetje.

Ata mbanin në duar disa pankarta ku thuhej, “Kujdes minat vrasin”, “Duama përkrahje institucionale”, “Nuk kishim faj, ishim vetëm fëmijë”.

E kryetari i Shoqatës së Plagosurve Civil nga Minat, Avni Lubovci, tha se për pastrimin e zonave të minuara në tërë Kosovën, u morën shumë organizata por shumë pak bënë.

Ndihmën e institucioneve për këta persona, Lubovci e konsideroi zero, derisa bëri apel që t’i përkrahin këta persona.

Ai tha se kërkesat e kësaj kategorie kanë të bëjnë me ndarjen e një fondi të veçantë për proteza, për të cilat sipas tij kanë nevojë rreth 140 persona, rritja e pensioneve, si dhe ndryshimin e disa neneve të ligjit, pasi sipas tij, ligji po i diskriminon këta persona.

Lubovci potencoi se kërkesat e personave të lënduar nga minat, iu janë dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Zyrës së kryeministrit, por sipas tij, ende nuk kanë marrë përgjigje. Ai shtoi se një takim është zhvilluar edhe sot me zëvendësministrin e Shëndetësisë, Muvledin Krasniqi, por pa marrë ndonjë përgjigje konkrete.

Ai gjithashtu theksoi se duhet të kërkohet dëmshpërblim nga Serbia dhe për këtë është bërë një kërkesë te Avokati i Popullit por edhe nuk ka një përgjigje.

Ndërsa, nënkolonel Afrim Veseli theksoi se deri më tani janë pastruar disa zona të minuara por ende mbeten 69 zona ta afektuara nga minat apo mjete të tjera eksplozive, 55 zona të afektuara nga bombat kasetore, që paraqesin të shumëfishtë për qytetarët e vendit, të cilët mund të bien pre e tyre.

Veseli shtoi se FSK-ja që nga themelimi i saj është duke punuar për deminizimin e territorit të Kosovës, duke potencuar se tani është duke u punuar në 5 zona të minuara.

Sipas Veselit, me kapacitetet që i ka në dispozicion FSK-ja, duhet një kohë e gjatë për deminimin e tërë territorit të Kosovës.