Editorial

Përpjekja e hedhjes së topit te vendoret e shefit të EULX-it, z. Meucci!

By FerizajPress

June 15, 2016

Ajo që më shtyri të shkruaj ketë shkrim ishte shefi në largim i misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, Gabriele Meucci, i cili në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, topin e fajësisë për mos aftësinë e këtij misioni të cilin e ka drejtuar ishte munduar ta hedh te vendoret, Zoti, Meucci, gjatë kohës sa keni qëndruar në Kosovë, nuk e di a ke arritur t’a dëgjosh një fjalë të urtë popullore, që ne në Kosovë e përdorim? E ajo fjalë e urtë popullore thotë: “fajin tënd për mos kryerjen e detyrës mos e hidh topin dikund tjetër”. Por, realisht dua të të them se, me përpjekjen e hedhjes së topit te vendoret nuk mundesh t’a shfajësosh vetën nga përgjegjësia. Në ketë intervistë do të duhej të ishe më vetëkritik se sa të kritikosh. Duke i apostrofuar vendoret në intervistën e juaj i kishe atakuar ish Komandantët e UÇK-së. Sikurse nuk jeni “ngopur” duke u munduar që diçka të shenjtë ta përdhosni në vazhdimësi dhe në pafundësi. Z. Meucci, pajtohem plotësisht, se; Komandantet e UÇK-së s’kanë të drejtë të bëjnë çka të duanë dhe as nuk do duhej të bënin ndonjë prej tyre. Realisht jam kundër çdo keqpërdorimi nga kushdo qoftë që ka bë, duke u fshehur nën ombrellën e krenarisë më të lartë, që vërtetë na ka bërë të na kthehet identiteti ynë I nëpërkëmbur me shekuj. E pra siç e dini Ju, identiteti i nëpërkëmbur i shqiptarëve në Kosovë i është kthyer me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Po z. Meucci, ju e dini që, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë ka qenë një mision ndërkombëtar për sundim të ligjit në Kosovë. Pyetja ime shtrohet, çfarë bëri ky mision, pse nuk i ndalojë këto të këqija siç po deklaroheni Ju, qoftë edhe ndaj Komandantëve të UÇK-së? Me siguri që keni mundur që në fillim, nëse ka filluar ndonjë të “lakmonë” për përvetësime jo të ndershme t’a ndaloni dhe veprimi i këtillë do ishte mesazh edhe te të tjerët për të mos vazhduar të” lakmojnë”. Por, ky mision, siç duket devijoj qasjen, që ta kriminalizon luftën e shenjtë për liri. Pra, filloj me burgosje të çlirimtarëve të lirisë duke I akuzuar për krime lufte, të cilët detyrimisht I kishin kapur armët për çlirimin e vendit të tyre nga okupatori. E, Ju si mision nuk u morët me pushtuesin asnjëherë, me ata që vërtetë jo që bënë krime por gjenocid në Kosovë. Realisht nuk ishim të kënaqur me ketë mision se u pa që misioni I UNMIk-ut ishte burgosja e çlirimtarëve. Me të përfunduar misionin e vetë UNMIK-u, ne në Kosovë ju gëzuam pa masë këtij misioni, ngase u premtua që do t’a zëvendëson një mision tjetër drejtësinë në Kosovë,ku do të jetë më efikas dhe më i përgatitur për të vë rend e ligj në Kosovë. E tani përsëri shtrohet pyetja, çfarë bëri ky mision , a u tregua i suksesshëm e shumë e shumë pyetje të tjera të cilat gjithsesi se kanë përgjigje? Pra edhe ky mision I emërtuar EULEX- vazhdoi rrugëtimin e njëjtë sikurse UNMIK-u, apo vetëm e ndryshuan uniformën personat e njëjtë. Realisht filluan me një frazë bombastike duke thënë; “ se do t’i burgosim peshqit e mëdhenj”, e ne të gjithëve i hapëm sy e vesh se çfarë po ndodhë, çka do të ndodhe, kush janë peshqit e mëdhenj? Por, vërtetë ju gëzuam kësaj force e cila pretendonte se do të vë rend e ligj në Kosovë.Por, edhe ky mision i shumë pritur filloj t’a atakojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Por, pak më ndryshe se misioni paraprak, se këta kishin përgatitur terrenin ta atakonin në dy mënyra, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime ekonomike. Veprimet e tilla për një shoqëri e cila po kalonte nëpër tranzicion ishte e rënd, ngase bënë përpjekje t’ia humbnin toruan duke i atakuar në dy forma. Duke pritur se kush janë ata “peshq të mëdhenj “që kaq shumë i kanë sjellë dëme Kosovës? Filluan spektakle të ndryshme televizive me bastisje e burgosje dhe më pas me pafajësi të të burgosurve. Dhe asnjëherë nuk kërkuat falje ndaj atyre që i atakuat, e mos të flasim për ndonjë dëmshpërblim material. Në fakt, nuk duhet harruar se të gjithë ishim për ndëshkim ndaj keqpërdoruesve, pa përjashtim, por jo në mënyrën që ndodhi. Prandaj të gjitha përfunduan ashtu siç i keni orkestruar, vetëm në përhapje të propagandës duke e maltretuar popullin mendërisht. Prandaj, i nderuar, Meucci, dozën e fajësisë mos e hidhni dikund tjetër, por do duhej të ishit më i sinqertë dhe të vetë-kritikoheni. Të tregoni realisht se, ose nuk keni qenë të interesuar të vëni drejtësi ashtu siç jeni thirrur, ose edhe të tregoni se nuk ka qenë ashtu gjendja siç keni propaganduar? Por, nëse vërtetë I dini keqpërdorimet, përvetësimet, pse nuk ia konfiskoni atë pasuri atyre që janë pasuruar në kurriz të popullit? Vërtetë shumë jemi të interesuar që të bëhet konfiskimi i çdo njërit që ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme, ngase duam rend dhe ligj në Kosovë. Nuk duam spektakle televizive-mediatike. Prandaj, pranoje fajin e fajësisë ose paaftësinë e EULEX-it z. Meucci se keni qenë mbi çdo organ legjislativ e ekzekutiv në Kosovë. Me ketë deklaratë nuk mundeni ti hidhni popullit hi syve! Te ne po ashtu është edhe një fjalë tjetër që përdoret në popull; “bëhu burrë e pranoje fajin, pranoje gabimin”, “se duke e pranuar gabimin bëhesh më i arsyeshëm”! Dhe burrëria matet edhe me kërkimfalje!

Shkruan : Hanife Salihu