Ferizaj

Përmbyllet me sukses Turneu i 26-të i Pingpongut “Ahmet Hoxha” në Ferizaj

By FerizajPress

May 19, 2025

Në Palestrën e Shkollës fillore “Astrit Bytyçi” në Ferizaj u përmbyll me sukses edicioni i 26-të i turneut tradicional të pingpongut, i cili i është kushtuar Heroit të Kombit, Ahmet Hoxha. Gjatë dy ditëve të zhvillimit të turneut, në të cilin pjesëmarrës ishin rreth 200 pingpongistë në të gjitha kategoritë, atmosfera sportive u kombinua me nderimin institucional dhe qytetar për figurën dhe veprën e heroit.

Turneu u hap me një fjalë rasti nga kryetari i federatës dhe ceremoni solemne, ku morën pjesë bashkëveprimtari i heroit, Lutfi Haziri, drejtoresha e DKRS-së në Ferizaj, znj. Xhemile Murati, si dhe djali i heroit, Alban Hoxha. Në hapje, Kori i shkollës fillore “Ahmet Hoxha” interpretoi himnin kombëtar, ndërsa në fjalët përshëndetëse u përkujtuan momentet e bashkëpunimit me heroin, vlerat e tij si figurë kombëtare dhe rëndësia që ky turne ka për qytetin dhe sportin në përgjithësi.

Në ditën e parë të garave u zhvilluan ndeshjet për grupmoshën U19 dhe kategorinë e veteranëve. Në konkurrencën e vajzave U19, fituese u shpall Lenë Osmani, ndërsa vendi i dytë i takoi Anisa Domanikut dhe i treti Taibe Rulit. Te djemtë U19, Akil Mahmuti doli në vend të parë, duke lënë pas Ibrahim Malokun në të dytin dhe Eron Karabaxhakun në të tretin.

Ndërkaq, në kategoritë e veteranëve, në grupmoshën 40–49 vjeç fitues u shpall Alban Hoxha, në grupmoshën 50–59 vjeç triumfoi Amar Muftiq nga Bosnja, në atë 60–64 vjeç fitoi Jonuz Tufa nga Shqipëria, ndërsa Remzi Shala doli fitues në kategorinë 65-69, ndërsa Shasivar Veliu për kategorinë mbi 70 vjeç.

Në ditën e dytë të turneut u mbajtën garat për grupmoshën U15 dhe kategoria e seniorëve. Në U15, te vajzat, Ami Shtemari nga Shqipëria u shpall kampione pasi në finale mundi Sara Hoxhën, ndërsa Lira Hashani përfundoi në vendin e tretë.

Në kategorinë e djemve U15, Etien Qoshja, po ashtu nga Shqipëria, triumfoi në një finale të ngushtë dhe shumë cilësore ndaj Muhamet Mudut, duke fituar me rezultat 3:2, ndërsa Imran Duraku zuri vendin e tretë.

Kategoria e seniorëve solli më shumë rivalitet dhe pjesëmarrje të gjerë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja. Te femrat seniore, Emirjeta Isufi nga Shqipëria fitoi vendin e parë pas një paraqitjeje të shkëlqyer, duke mposhtur në finale Samanta Agollin me rezultat 3:1. Lenë Osmani u ndal në gjysmëfinale dhe u rendit në vendin e tretë.

Te meshkujt seniorë, pas ndeshjeve shumë të forta që nisën që në çerekfinale, vendin e parë e fitoi Sina Keyhan, i cili në finale mposhti Kreshnik Mahmutin me rezultat të pastër 3:0. Rrahman Ademaj e përfundoi turneun në vendin e tretë.

Të gjithë fituesit u shpërblyen me medalje, kupa dhe çmime monetare. Organizatorët shprehën falënderime për të gjithë pjesëmarrësit, për klubet, trajnerët dhe për Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Ferizajt për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha edicionet e këtij turneu. Turneu “Ahmet Hoxha” mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive në vend, që ruan kujtimin për heroin e kombit dhe fuqizon traditën e pingpongut ndër breza.