Ndonëse e diel, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami nuk pati pushim. Ai doli në terren për të inspektuar aksionin për vaksinimin e qenve me pronarë kundër sëmundjes së tërbimit,i cili po zhvillohet tash e disa ditë në gjithë territorin e Ferizajt.
Një mundësi e tillë e krijuar si nismë e kësaj drejtorie, i ofron pronarëve të qenve që kafshën e tyre ta kontrollojnë dhe vaksionojnë kundër sëmundjeve të ndryshme potenciale, përkatësisht kundër sëmundjes së tërbimit. Qindra qytetarë deri më sot i janë përgjigjur këtij aksioni duke sjellë kafshët e tyre që t’i vaksionojnë. Ata po vlerësojnë këtë nismë të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në mbrojtje të kafshëve.
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami pa nga afër disa nga lokacionet ku po kryhej vaksinimi, me ç’rast u shpreh se nisma të tilla por edhe më të gjera do të realizohen vazhdimisht në mbrojtje të kafshëve dhe në funksion të zbatimit të pakos së masave të qeverisjes lokale për mbrojtjen e kafshëve. Ai e vlerësoi të suksesshëm gjithë procesin e vaksinimit të qenve me pronarë, proces që sot shënon ditën e fundit.