Shkruan : Alben Eshrefi
Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka filluar në vitin 2011, si rezultat i zhvillimeve të atëhershme, përkatësisht pas verdiktit mbi mendimin këshilldhënës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) lidhur me kërkesën e Serbise të parashtruar para GJND-së që të jep mendim Keshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, me përfundim të cilin e solli GJND mbi Verdiktin se : Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk bie në kundërshtimit me normat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Më tej, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 9 shtator të vitit 2010, miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë – Serbi, të lehtësuar nga BE, referohu: “Rezoluta A/RES/64/298”, 9 shtator 2010”, përmbajtja e kësaj rezolute e mirëpriste gatishmërinë e Bashkimit Europian për të lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ky proces do të shërbente si faktor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, me qëllim të promovimit të bashkëpunimit, të përmirësimit të jetës së qytetarëve si dhe të mbështetjes arritjes së progresit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian për të dyja vendet.
Më tej, si rezultat i miratimit të Rezolutës për Kosovën të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kuvendi i Republikës së Kosovës atëkohë, me propozim të Grupit Parlamentar të PDK-së, me përkrahje të GP KKR-së, të GP SLSsë dhe GP 6+ pati miratuar Rezolutën përmes së cilës mbështeste “dialogun midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë, për çështje praktike, në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe të avancimit të agjendës evropiane për të dy shtetet dhe për rajonin”, referuar: http://www.kuvendikosoves.org/common/docs/Rezuluta per dialogun midis R.Kosoves dhe R.Serbise 2.pdf.
Përgjatë procesit të dialogut, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi edhe dy rezoluta të tjera, njëra me propozimin e Grupeve Parlamentare: PDK, AAK, KKR, SLS dhe Grupi 6+, më 18 tetor 2012 miratoi rezolutën “Për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë” përmes së cilës, përkrahte fillimin e dialogut politik duke mandatuar sërish Qeverinë e Republikës së Kosovës që të udhëheqë këtë proces, me pjesëmarrje të Komisioneve të nevojshme të Kuvendit të Kosovës, referuar: “http://www.kuvendikosoves.org/common/docs/RezoluteMarredhenive Kosova Serbia.pdf”, si dhe rezolutën e 10 marsit të vitit 2017 me propozim të GP të AAK-së dhe me harmonizim të grupeve parlamentare: PDK, LDK, LVV dhe Nisma, me të cilën propozohej të pezullohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj, referuar: “http://kuvendikosoves.org/common/docs/2017 03 09 Rezoluta nr 011 per lirimin e Ramush Haradinaj.pdf”.
Megjithëse, duhet potencuar të dhënat mbi faktet, se dialogu ka qenë i mbyllur, është përcjellur me mungesë të transparencës dhe me moszbatim të disa prej 23 marrëveshjeve teknike dhe politike të arritura përgjatë procesit të dialogut, ku moszbatimi i këtyre marrëveshjeve, në pjesën më të madhe të rasteve ka të bëjë me mungesën e vullnetit politik dhe të veprimeve destruktive nga ana e Serbise, si dhe me faktin se një pjesë e përmbajtjes së atyre marrëveshjeve binin ndesh me rendin kushtetues e juridik të Republikës së Kosovës, sidoqoftë një pjesë e këtyre marrëveshjeve përbënin tema tejet të rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe shtetësinë e Kosovës.
Tani, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbise i cili po zhvillohet në Bruksel nën monitorimin dhe lehtësimin e BE-së si dhe në mbështetjen e plotë të SHBA-ve gjendet në fazën e saj të fundit, krijimi i një grupi të unitetit me përfaqësim nga pozita dhe opozita si dhe hartimi i platformës me pajtueshmëri nacionale për zgjidhjen e marrëveshjes përfundimtare të dialogut paraqet parakusht, domosdoshmëri dhe nevojë nacionale e shtetërore. Përndryshe, mungesa e krijimit të grupit të unitetit lidhur me çështjen e dialogut është kundër interesave nacionale e shtetërore, paraqet dhe do të prodhojë pasoja me konsekuenca negative dhe dëme tejet të mëdha për të ardhmen e Kosovës dhe për pozitën e saj në rrafshin ndërkombëtar.
Bazuar në kompetencat e presidentit sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë, garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, andaj bazuar në këto fakte, presidenti i Kosovës do të duhej të drejtonte grupin negociator të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Diskursi i ditëve të fundit i partive politike opozitare (lexo: LDK, VV dhe PSD) lidhur me temën mbi dialogun Kosovë-Serbi, tashmë të njohur prej kohësh, që identifikohet me një pjesë të skenës politike përmes manipulimit tipik të temave, paraqet një diskurs dhe retorikë të paqenë të fshehur e të manipuluar prapa ndjenjave kombëtare, për përftime të agjendave politike.
Krejt në fund, dua të shtoj se tashmë është momenti i fundit që i gjithë spektri politik në vend do të duhej të vendos përtej agjendave dhe interesave të partive politike, të vendosin bashkarisht lidhur me formimin dhe emërimin e një grupi gjithpërfshirës të unitetit për t’i dhënë fund dialogut me epilogun që duhet të përmbyllej me normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke të shteteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të mundësuar vendit tonë realizimin e plotë të agjendës shtetndërtuese, përshpejtimin e realizimit dhe zbatimit të plotë të integrimeve euroatlantike të Kosovës, që siguron të ardhmen e Republikës së Kosovës si shtet i fortë dhe funksional si dhe duke mos lënë mënjanë agjendën e detyrimit kombëtar.