Në 6 vjetorin e ndarjes nga jeta është përkujtuar veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ejup Runjeva – komandant Era.
Në akademinë përkujtimore të mbajtur në Pallatin e Kulturës “Xheladin Kurtaj”, jetën dhe veprën patriotike të komandant Erës e kanë nderuar përfaqësues të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfaqësues të lartë komunal, pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, eprorë të lartë të UÇK-së, qytetarë të shumtë jo vetëm nga Komuna e Kaçanikut, ndërsa i pranishëm ishte edhe Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha se ndjehet krenar për luftën dhe veprën e Ejup Runjevës, ndërsa theksoi se jemi në vendlindjen e Agim Bajramit e Qamil Ilazit, si dhe të shumë të tjerëve që luftuan për lirinë e vendit. “Komandat Era ishte model i një luftëtari të lirisë. Çdo herë kam pasë kënaqësinë dhe nderin në luftën për liri që ta takojë Ejupin. Mund të sjell kujtimet më të freskëta dhe më të mira për të, rolin e tij udhëheqës por edhe udhëtimet e përbashkëta. Kam pasë nderin që të kalojë në shumë angazhime, të jemi së bashku në Bjeshkët e Sharrit në shi e borë, diell e vapë, por në krye të kolonës edhe në majat e Lubetenit. Jemi sot për të përkujtuar luftën dhe krenarinë e Ejupit që ballë lartë qëndroi në luftë dhe pasluftës – përsëri ideali dhe kauza e tij fituan. Ai vdiq në kulm të moshës, moshës më të mirë. Sot ne kujtojmë një bashkëluftëtar. E nderojmë me nderimet më të larta”, tha Thaçi.Në fjalën e tij, Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, foli për përkushtimin e Komandant Erës në mbrojtje të vendit, si dhe shpalosi evokime si bashkëluftëtarë i komandantit.
“ Me fillimin e luftës në Jezercë, edhe Ejupi ishte në mesin e luftëtarëve që shkuan ta ndihmojnë Brigadën 161 “Ahmet Kaqiku” ndërsa nga marsi i vitit 1999 veproi në kuadër të Brigadës 162 “Agim Bajrami” ku mori pjesë në të gjitha betejat që u zhvilluan deri në përfundimin e luftës. Komandant Erën, pata rastin ta takoj edhe vetë, dhe gjithë secili nga ne që e njohëm, ndajmë kujtime të veçanta, duke qenë një njeri i thjeshtë, një njeri që e donte atdheun dhe çlirimin e tij. Veprimtaria dhe angazhimi i tij nuk munguan as pas lufte. Ai udhëhoqi Organizatën e Veteranëve të luftës së UCK-së deri në qastet e fundit të jetës. Momentet përkujtimore si ky, janë të dhembshme dhe emocionuese, por edhe krenare ngase kishim fatin të ishim bashkëluftëtar të tij. Komandant Erën do ta kujtojmë për burrërinë e rrallë, zemërgjerësinë, trimërinë e pashoq, krenarinë dhe guximin, duke ecur së bashku shtigjeve të lirisë. Sepse e tillë ishte edhe koha, për të luftuar e për të vdekur për atdhe, e për lirinë që sot e gëzojmë” tha mes tjerash kryetari Ilazi. Ai në fund të fjalimit të tij tha se na mbetet që me përkushtimin më të madh t’i kryejmë detyrat tona, që fëmijët, mbesat e nipat tanë, të kenë arsye të jetojnë në vendin e tyre, në atdheun e tyre, për lirinë e të cilit atdhe luftuan breza të tërë, e ne sot i kujtojmë dhe përkulemi me pietetin më të lartë.
Në fjalën e rastit Komandanti i Brigadës “162 Agim Bajrami” Xhabir Zharku, njëherit bashkëluftëtarë i Ejup Runjevës, evokoi kujtime, ndërsa tha se Komandant Era ishte stoik para çdo fortune, ndonëse u munduan ta linqojnë ai qëndroi i fortë, ndërsa e konsideroi si një komandant unik. Si bashkëluftëtarë, dhe në emër të Zonës Operative të Nerodimes foli Komandanti Shukri Buja, i cili e vlerësoi kontributin e luftëtarit Ejup Runjeva, në lirimin e vendit, ndërsa tha se Ejupi kërkonte rrugë në çlirimin e vendit, ai ishte kudo, e edhe një Jezerc së bashku me Komandant Ahmet Kaqikun, ndërsa tha se Komandant Era ishte pjesë e fitores dhe lirisë së vendit.
“Ejup Runjeva-Komandant Era ishte veprimtar i çështjes kombëtare, organizator i strukturave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik, luftëtar i lirisë, i cili tërë jetën e tij e vuri në shërbim të lirisë së atdheut. Lavdi jetës dhe veprës së Ejup Runjeva-Komandant Era! “ ka thënë Elmi Reçica, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovë
Në emër të familjes Runjeva, të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi për pjesëmarrje vajza e Komandant Erës, Vlora Runjeva Tusha. Në fund u shfaq një program artistik nga artistët e Qendrës Kulturore “Kaçaniku”. Para se të filloj akademia janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe veteranëve të UÇK-së në Kaçanik.