Ferizaj

Përkujtohet Heroi i Kosovës, Rexhep Bislimi, në 28-vjetorin e aksionit të parë të UÇK-së në Ferizaj

By FerizajPress

September 12, 2025

Ferizaj, 12 shtator 2025 – Sot në Ferizaj u përkujtua një nga momentet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës – 28-vjetori i aksionit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë qytet, i udhëhequr nga Komandanti i njësitit të parë të UÇK-së në Ferizaj, Heroi i Kosovës, Rexhep Bislimi.Me këtë rast, përfaqësues të institucioneve, bashkëluftëtarë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë u mblodhën për të nderuar kujtimin dhe veprën e lavdishme të heronjve që shënuan hapin e parë të rezistencës së armatosur në Ferizaj.Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, në një deklaratë publike shkroi:“Në 28 vjetorin e aksionit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, hap ky i parë i rezistencës së armatosur dhe rrugës drejt çlirimit, përkujtuam me homazhe Dëshmorët e Kombit si dhe veprën e lavdishme të Komandantit të njësitit të parë të UÇK-së në Ferizaj, Heroit të Kosovës, Rexhep Bislimi.”

Nga ana e tij, ish-oficeri i lartë i UÇK-së dhe deputeti i Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, shprehu emocionin e tij për këtë përvjetor historik:“Me rastin e 28-vjetorit të aksionit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pata nderin dhe emocionin e veçantë të jem pjesë e aktiviteteve përkujtimore kushtuar kësaj ngjarjeje madhore historike, që më 12 Shtator 1997 shënoi fillimin e rezistencës së armatosur dhe rrugën e pakthyeshme drejt lirisë.Nga nderimet tek shtatorja e heroit Rexhep Bislimi në sheshin ‘Adem Jashari’ në Ferizaj, te homazhet në Varrezat e Dëshmorëve, e deri te vizita në obeliskun e aksionit historik në Gërlic, çdo moment ishte rikujtim i sakrificës së jashtëzakonshme të dëshmorëve tanë.Kujtesa e tyre do të mbetet përherë gjallë, si udhërrëfyes për brezat që vijnë.Lavdi dëshmorëve të kombit!”Aktivitetet e sotme përkujtuese në Ferizaj janë dëshmi e respektit të përhershëm që qytetarët e këtij vendi mbajnë për bijtë dhe bijat e lirisë. Vepra e Rexhep Bislimit dhe e bashkëluftëtarëve të tij mbetet një frymëzim i pashuar për brezat e rinj, duke e forcuar kujtesën historike të sakrificës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.