Ferizaj. 25. 10.2018. Mëngjesin e sotëm, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi, drejtorë komunal, përfaqësues nga organizata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëluftëtarë dhe qindra qytetarë bën homazhe tek varrezat e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, në nderim të jetës dhe veprës së Dëshmorëve të Kombit, Naim Beka – Sokoli dhe Agim Matoshi.
I pari i Ferizajt, Agim Aliu me këtë rast tha se dy trimat e Ferizajt, Naim Beka dhe Agim Matoshi janë shembulli më i mirë ku trimëria, zgjuarsia dhe atdhedashuria farkojnë lirinë e popullit tonë.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi tha se këta dy dëshmorë ishin ushtarë dhe trima të pashembullt të historisë më të re të kombit shqiptar.
“Sot kemi përvjetorin e rënies së dy Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dy ushtarëve shembullor, dy trimave shembullor, dy djelmoshave të cilët u sakrifikuan për atdheun, se atdheu ishte mbi çdo gjë. Këta ranë për liri që ne ta begatojmë atë liri që të synojmë zbatimin e kërkesës së betimit të Dëshmorëve të Kombit, bashkimin e kombit shqiptar, bashkimin e Kosovës me trojet etnike dhe bashkimin e shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë. Ky ishte ideal i të gjithë dëshmorëve dhe kush e injoron dhe përbuzë këtë e ka shumë gabim, dhe ky gabim nuk i falet kurrë. Ne krenohemi me këta dy trima të pashembullt të historisë më të re të kombit tonë” tha kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi.
Ndërsa, Rafiz Sejdiu, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dega në Ferizaj tha se dy Dëshmorët e Kombit, Naim Beka dhe Agim Matoshi, që po përkujtojmë sot në përvjetorin e rënies së tyre heroike ishin ndër ushtarët e parë të UÇK-së dhe themeluesit e Batalionit të Logjistikës, të shquar për trimërinë dhe zgjuarsinë e tyre.
“Ky është një moment i përkujtimit, një ditë e homazheve për dy ushtarë të ditëve të para të cilët na janë bashkangjitur në luftë në ditët e para me formimin e Zonës Operative të Nerodimes. Këta dy ushtarë dallojnë nga ushtarët tjerë pasi që kanë qenë ushtarë të aksioneve, ushtarë që e kanë njohur shumë mirë këtë terren dhe janë ushtarë që edhe e kanë formuar Batalionin e Logjistikës. Pra, këta janë ata ushtarë të cilët kanë përcjellë edhe popullatë civile, edhe ushtarë edhe ushtarakë në zonën tonë prej zonës së Drenicës deri në zonën e Maqedonisë. Vlen të theksohet se gjatë përcjelljes së tyre nuk ka pasur asnjë pritë, asnjë ekses, pra kanë qenë përpos dy ushtarë trima edhe dy ushtarë shumë të zgjuar” tha Rafiz Sejdiu, Kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Ferizaj.
Homazhet u përmbyllen me përkulje para varreve të Dëshmorëve të Kombit, Naim Beka dhe Agim Matoshi si dhe vendosjen e kurorave të luleve pranë Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj.