16 vjet më parë në Tanushë të Gostivarit ranë heroikisht dëshmorët nga Ferizaj, Hyrë Emini-Mira dhe Brahim Ademi-TT-ja. Sakrifica sublime e këtyre dy dëshmorëve është përkujtuar sot me homazhe, me ç’rast bashkëluftëtarë, të afërm dhe qytetarë të Ferizajt, vendosen kurora me lule në shenjë respekti, duke u përkulur thellë para sakrificës së tyre. “Sot kemi ardhë t’i bëjmë homazhe heroinës së kombit Hyrë Emini dhe Brahim Ademit, të gjithë jemi para një dëshmie që makineria vrastare e Millosheviqit filloi me përmasa shqetësuese ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, duke kallur, djegur e masakruar, filloi gjenocidi, shfarosja e kombit, Hyra, Brahimi dhe shumë shokë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrokën armët, liruan vendin dhe shkuan prapë t’u ndihmojnë vëllezërve tanë në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, fati i tyre ishte të jenë dëshmorë kombi, lavdi e përjetshme Hyrës e Brahimit e të gjithë dëshmorëve të kombit”, tha Sadik Rexhepi, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftës. Nëna e dëshmorit Brahim Ademi, tha se dhembjen e tyre tashmë e kanë shndërruar në krenari, duke u shprehur e kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve në këto homazhe. “Faleminderit nga ky popull që po mbledhen e po vinë, për këtë vend kanë shkuar jo vetëm biri im, po të krejtve kanë shkuar, e kam ditë që po niset për luftë, po nuk kam mundur ta ndalë, nuk ndalet askush kur ka dëshirë me shku në luftë”, tha Sela Ademi, nëna e dëshmorit Brahim Ademi. Ndryshe nga përvjetorët e tjerë, ky përvjetor për familjen e dëshmores Hyrë Emini është më ndryshe. Këtë vit familja po ndihet më krenare ngase bija e tyre i është kthyer Ferizajt e skalitur në bronz. “Është një përjetim i veçantë ky përvjetor që lidhet edhe me zbulimin e shtatores, një falenderim për të gjithë ata që u angazhuan për ta risjellë Hyrën këtu në bronz, është ndjenjë e veçantë, më shumë është ndjenjë krenarie, është mirë që nuk harrohen dëshmorët, një popull që ka dëshmorë dhe nuk i harron e meriton lirinë”, tha Ramadan Emini, vëllau i dëshmores Hyrë Emini. Për të bërë homazhe nga Gostivari erdhi babai i dëshmorit Hisë Fazliu, Bejtullah Fazliu, i cili tha se në 16 vjetorin e vdekjes së djalit të tij ka vendosur të qëndroj në Ferizaj, pranë bashkëluftëtarëve të të birit. “Kam një kënaqësi që jam këtu dhe këtë shtatore nuk e kam parë, po e shoh tani, ndjej një kënaqësi të madhe, pas 16 viteve ndjej kënaqësi kur shoh këta vëllezër e motra që janë këtu e që vizitojnë këta dëshmorë, ne veç si prind e kemi dhembjen, por atë po e shpërndajmë me ju”, tha Bejtullah Fazliu, babai i dëshmorit Hisë Fazliu. Bashkë me komandant Tahir Sinanin, Hyrë Eminin dhe Brahim Ademi, në Tanushë të Gostivarit, më 29 korrik 2001 ranë në altarin e lirisë edhe dëshmorët Naser Ademi dhe Hisë Fazliu.