Përkeqësohet bilanci nga sulmi në një dasmë në Gaziantep, 30 të vdekur dhe 94 të plagosur

By FerizajPress

August 21, 2016

Prefekti i qytetit Gaziantep në Turqi, Ali Yerlikaya, ka konfirmuar se si pasojë e sulmit terrorist ndaj një dasme në lagjen Beybahçe të komunës Şahinbey, kanë humbur jetën 30 qytetarë dhe janë plagosur 94 të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Yerlikaya, në një deklaratë me shkrim ka njoftuar se numri i personave që kanë humbur jetën në sulmin terrorist të ndodhur në qytet është rritur në 30, ndërsa numri i të plagosurve në 94.

Duke e dënuar ashpër këtë sulm, Yerlikaya, ka theksuar: “Një sulm terrorist i neveritshëm me bombë është kryer ndaj një dasme në lagjen Beybahçe të komunës Şahinbey. Si pasojë e këtij sulmi aktualisht kanë humbur jetën 30 qytetarët tanë dhe janë plagosur 94 të tjerë”.

Ai deklaroi se e dënon  ashpër këtë sulm tradhtar të kryer kundrejt integritetit të pandashëm të vendit dhe popullit.

“Shpërthimet destruktive, përçarëse dhe të ngjashme si këto nuk do t’ia arrijnë kurrë qëllimeve të tyre të pista mbi Republikën e Turqisë dhe popullin tonë të çmuar”, tha ai.

“Autorët e këtij sulmi do të përgjigjen para drejtësisë së madhe turke. Mëshira e Allahut qoftë mbi qytetarët tanë që humbën jetën në sulm. Ngushëllime për familjarët si dhe shërim të shpejtë për qytetarët e plagosur. Shpreh gjithashtu ngushëllimet për popullin e dashur dhe qytetin tonë veteran.”