Ka përfunduar pas një ore e 40 minuta takimi trilateral Rama-Basha-Meta. Palët do të punojnë me ekspertët e tyre në një draft të vetëm, ku përfshihet propozimi i Ndihmës Sekretares Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland dhe rekomandimi i Komisionit të Venecias.
Mësohet se demokratët kanë propozuar nënkryetarin e komisionit të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi, ndërsa socialistët Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçin, ndërsa për LSI-në do të jetë Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Ata do të negociojnë gjetjen e një zgjidhje të përbashkët deri ditën e enjte, kur edhe pritet të votohet në Kuvend reforma në drejtësi.
Takimi tre palësh i kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha vijoi pa praninë e ambasadorëve Donald Lu e Romana Vlahutin.
Tryeza u thërrit nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, katër ditë përpara votimit në Kuvend, të paketës kushtetuese të reformës. Një ditë më parë, kryeparlamentari Ilir Meta u shpreh se inkurajon një takim pesë palësh me përfshirjen edhe të ambasadorëve Donald Lu e Romana Vlahutin.
Paketa Kushtetuese e reformës është përfshirë në rendin e ditës të punimeve të Kuvendit të enjten ku edhe pritet të votohet. Mazhoranca dhe opozita ndahen vetëm në një pikë, për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vettingut, ku PD propozon vetëm rol vëzhgues të tyre dhe jo pjesëmarrje ekzekutive.
Ndërkohë, pjesë e këtij takimi nuk ishin ambasadorët Lu e Vlahutin, pasi siç thuhej në një deklaratë të shpërndarë për mediat nga ambasada e SHBA dhe ajo e BE, Lulzim Basha nuk ka pranuar që të diskutojë mbi draftin hibrid, që Victoria Nuland propozoi për Reformën në Drejtësi.
“Ambasadorët Vlahutin dhe Lu informuan Kryetarin e Kuvendit z. Meta se pas deklaratës së z. Basha, ambasadorët nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për 18 korrik. Z. Basha foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi propozimin hibrid që ai diskutoi me Ambasadoren Nuland më 10 korrik. Nëse z. Basha e rideklaron angazhimin e tij të mëparshëm për të negociuar ekskluzivisht mbi bazën e propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’u bashkohen këtyre diskutimeve”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Ambasada Amerikane.
Një ditë më parë, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në tryezën Rama-Basha-Meta, me kushtin që diskutimet në tryezë të bazoheshin mbi drafti hibrid të propozuar nga Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland.