Përfundon takimi, ambasadorët me propozim të ri, PD thërret grupin

By FerizajPress

July 21, 2016

​Ka përfunduar takimi në Kryesinë e Kuvendit mes ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha, për sqarimin e detajeve të draftit të reformës në drejtësi.

Në përfundim të tij, Basha është larguar nga selia e Kryesisë në heshtje, duke mos bërë asnjë prononcim për mediat.

Nga të dhënat paraprake rezulton që ambasadorët të kenë bërë një propozim të ri, por bashkëbisedimi mes palëve është mbyllur pa një marrëveshje.

Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili u largua pak më herët, po ashtu pa dhënë një deklaratë për mediat.

Nga ana e tij, Basha shoqërohej nga deputeti Oerd Bylykbashi, njëkohësisht negociator i demokratëve në bisedimet për reformën.

Ndërkohë, pak pas takimit PD ka thirrur mbledhjen e grupit për të koordinuar qëndrimin. Në këtë mbledhje do të diskutohet për propozimin e ri dhe për qëndrimet individuale të paralajmëruara nga disa deputetë demokratë.

.