Lajme

Përfundon pa marrëveshje takimi i liderëve rreth referendumit

By FerizajPress

July 19, 2018

Megjithatë, partitë thanë se mbeten të përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme me qëllim realizimin e interesave strategjike të Maqedonisë.

“Qëllimet strategjike të Maqedonisë dhe të të gjitha partive politike parlamentare janë anëtarësimi i plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Kompromis nuk do të ketë për interesat strategjike. Amnisti direkte apo indirekte nuk do të ketë. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet për gjetjen e kompromisit”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, pa dhënë detaje lidhur me dallimet ndërmjet partive, por përmendja e amnistisë është interpretuar si kërkesë e opozitës për t’i mbështetur çështjet tjera të dialogut politik.

Por, lideri i opozitës, Hristijan Mickovski, i ka quajtur spekulime të pushtetit pretendimet se gjoja VMRO-ja mbështetjen për referendumin e ka kushtëzuar me amnistinë. Ai la për të kuptuar se ngecja kryesore ka të bëjë me pyetjen e referendumit, e cila, sipas tij, nuk duhet të jetë manipuluese.

“VMRO DPMNE-ja mbështet dhe përqafon vlerat e vërteta evropiane, por jo edhe angazhimet vetëm se deklarative. Duhet të respektohet Kushtetuta dhe ligjet dhe nuk duhet të lejojnë që në një farë mënyrë të manipulohet me vullnetin e qytetarëve apo të parashtrohet pyetje të paramenduara për çështje kruciale për të cilat ne jemi të brengosur”, ka deklaruar Mickovski.

Partitë janë pajtuar që takimi i radhës të zhvillohet të dielën në mbrëmje, apo të hënën paradite. Nevojën për arritjen e një kompromisi e ka theksuar edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Ka dallime mes partive politike. Të gjithë duhet të angazhohemi që marrëveshja me Greqinë për emrin të ketë sukses. Ka mbetur që të bisedojmë edhe në ditët në vijim. Pres që të gjithë të veprojmë me guxim dhe të mos e lëshojmë këtë rast historik”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Takimi i liderëve kishte nisur të mërkurën në mbrëmje, por kishte dështuar për shkak të mospajtimeve për formatin apo pjesëmarrësit në takim. Me këtë rast, Zaev pas këtij takimi ku nuk mori pjesë opozita, ka thënë se referendumi, në të cilin qytetarët e Maqedonisë do të deklarohen për marrëveshjen për emrin me Greqinë, do të jetë konsultativ, ndërsa ka prezantuar edhe pyetjen që do të parashtrohet në referendumin që pritet të mbahet në vjeshtë.

“I kam informuar liderët e partive politike me formulimin e pyetjes së referendumit, e cila do të ishte si vijon: ‘A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?’. Qytetarët duhet të konsultohen për një çështje kaq të rëndësishme. Vendimin duhet ta sjell Kuvendi, por vullneti i qytetarëve do të jetë vendimtar dhe këtë duhet ta respektojnë të gjitha forcat politike në Kuvend”, ka deklaruar Zaev, duke theksuar rëndësinë e kalimit të referendumit, që, sipas tij, do të sigurojë të ardhme evropiane për vendin, apo siguri, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenie për të qytetarët e Maqedonisë.