Lajme

Përfundoi qetë protesta në Kumanovë, Drejtësi për Almirin (Foto)

By FerizajPress

July 04, 2016

Ka përfunduar qetë para pak çastesh protesta në Kumanovë, ku disa mijëra qytetarë nga ky qytet, por edhe nga vende tjera të Maqedonisë kërkuan drejtësi për vrasjen e fëmijës 4-vjeçar Almir Aliu nga një bashkëqytetar maqedonas. Protestuesit porositën se “nëse nuk funksionon sistemi, qytetarët mund ta marrin në duart e veta drejtësinë”.

Në fund të protestës, që u përmbyll para gjykatës në Kumanovë, u lexua edhe mesazhi i organizatorëve.

“Fajtori duhet të dënohet në përputhje me Kushtetutën dhe me kodin penal të Maqedonisë.

Fëmijët janë ardhmëria e çdo shoqërie dhe kur cenohet jeta e tyre cenohet ardhmëria e vendit. Kur krimi nuk merr dënimin e vet, shpirti shqetësohet, urrejtja shtohet dhe qytetarët e marrin drejtësinë në duart e veta. Shpresojmë se institucionet e drejtësisë do të tregohen konstruktivë dhe të japin dënimin maksimal”, u tha mes tjerash në mesazhin e organizatorëve të protestës.

Organizatorët apeluan për shpërndarje të qetë të protestuesve, duke kërkuar që të mos bien në provokime eventuale të policisë.