Editorial

Përballë dilemave të kohës

By FerizajPress

May 28, 2016

Duke filluar nga shoqëritë primitive e deri më sot, varësisht nga kriteret e zgjedhura, ka pasur ndarje të ndryshme të shtresave të popullsisë. Ndoshta prej të gjithave, më të njohurat janë ndarjet e bëra mbi bazën e gjendjes financiare dhe privilegjeve që u ka sjellë ajo, duke përfshirë edhe pozitat e rëndësishme udhëheqëse. Ndarje të shumta kemi edhe sot, në këtë shoqërinë tonë kaotike, që vështirë është të definohet se në cilin stad të zhvillimit gjendet. Një nga këto është polarizimi i popullsisë në të kënaqur (deri në nivel të dehjes, me ato që u sjellë jeta) dhe të pakënaqur (deri në mllefosje, me realitetin që e jetojnë) proporcioni mes të cilave ndryshon dukshëm nga një ditë në tjetrën, sepse ashtu ndryshojnë edhe individët, që së fundi gjithnjë e më tepër po u ngjajnë kameleonëve. Mjafton një përfitim sado i vogël, i çfarëdo natyre qoftë, duke filluar nga përfitimi material e deri te përkëdhelja e sedrës narcistike, ta zhvendos furishëm njeriun nga njëri grup në tjetrin… Të kënaqur janë gjithmonë ata që Noli i ka quajtur dallkaukë e kopukë, ata që në vazhdimësi gjejnë forma e mënyra për të zhvatur çdo gjë që u vjen rreth dorës, për të rrjepur gjithçka që nuk është e tyre, për të shfrytëzuar ato turmat pa tru që u shkojnë prapa pa e ditur as vetë pse dhe për të rrënuar sistemin e vlerave kombëtare që u ndërtua ndër shekuj me shumë mund e sakrifica. Të pakënaqur mbeten ata që në fjalorin e Migjenit njihen si sokratët e vuajtur, që përkundër humbjeve personale, injorimit dhe refuzimit, përpiqen të ruajnë dhe të proklamojnë vlerat e mirëfillta njerëzore, t’i mbrojnë ato nga kryqëzatat e mediokërve dhe të ngrenë vetëdijen e popullit për ta vlerësuar realisht gjendjen në të cilën ndodhet. Vështirë është të gjendet pse, por dihet se mendjet e ndritura, që në rrethanat tona ndoshta do të mund të quheshin më mirë mendje të kthjellëta, vështirë kuptohen nga bashkëkohësit, zakonisht atyre u jepet të drejtë shumë vjet më vonë, atëherë kur çdo gjë ka marrë fund. Një gjendje e tillë, një mospërputhje mes vlerës së njeriut dhe pozitës që ka në shoqëri, na sjellë në mendje një rrëfim nga Dhjata e vjetër, kur mbret i pyllit u zgjodh kaçuba, ndaj lisat e gjatë kur kishin nevojë të flisnin me të duhej të përkuleshin deri në tokë, në nivelin e udhëheqësit të tyre. Kjo gjendje më së shumti krijon huti tek të rinjtë që ende nuk kanë arritur t’i njohin dhe t’i zbërthejnë ligjet e mbrapshta nga të cilat udhëhiqet shoqëria jonë. Ata janë të dyzuar në zgjedhjen e rrugës jetësore, të marrin rrugën e atyre që befas, një mëngjes u gdhinë si zotërues të një posti të rëndësishëm, pavarësisht se formimi i tyre intelektual nuk është në harmoni as përafërsisht me detyrën që kanë marrë, apo të ndjekin rrugën e oponentëve të përjetshëm, intelektualëve që kanë arritur të akumulojnë dije e përvojë, por që nuk e gëzojnë respektin e merituar. Të qenit në një pozitë që të siguron rreth vetes një tufë hipokritësh të cilët janë në gjendje të shkelin edhe dinjitetin e tyre për të të shërbyer, mund të jetë joshëse për shumë të rinj, por në anën tjetër si pengesë del fakti se me rënien nga pozita humbet edhe fama, që si çdo gjë që nuk ka origjinalitet nuk u qëndron kohërave. Gjithashtu, të jesh prind në kohë të tilla do të thotë të gjendesh përpara një dileme të madhe, sepse të duhet të punosh për të ndërtuar një NJERI, ndërkohë që je i vetëdijshëm se me atë formim fëmijës tënd je duke i hapur rrugën e vuajtjeve, e katandisim njeri të mirë dhe e lëshojmë në një botë ujqërish – siç e tha para disa ditësh një aktor yni. Çfarë të bëjmë ne që tanimë u kemi hapur fëmijëve tanë rrugën e vështirësive, t’u kërkojmë falje pse u kemi dhënë mësime që nuk u shërbejnë për këtë kohë, apo të përpiqemi të ushqejmë idealizmin e tyre se një ditë do të bëhet mirë, duke u lutur që të mos na drejtohen me pyetjen: Kur?!!!! Por…jo…. nuk mund të ndodhë asnjëra nga këto, se ata që tërë jetën kanë kaluar duke gjurmuar në veprat e njerëzve që kanë lënë gjurmë në historinë, dijen dhe kulturën botërore, ata që përvetësimi i njohurive i ka bërë të ndihen më të thjeshtë, që kanë shije të stërholluar për të dalluar vlerat nga pseudovlerat, që nuk e shohin veten përmes titujve e emërtimeve të pozitave, që nuk joshen nga fama që zgjatë sa një mandat i partisë në pushtet, që nuk vuajnë të jenë adhuruar nga turmat… ata do të vazhdojnë t’i ndjekin bindjet e tyre dhe t’u ofrojnë pasardhësve shembullin e të jetuarit me ndërgjegjeje të qetë, sepse e kanë kuptuar kaherë, siç thotë Niçe, se:“Bota nuk rrotullohet rreth shpikësve të zhurmave të reja, ajo rrotullohet rreth shpikësve të vlerave të reja, dhe rrotullohet në heshtje, pa u dëgjuar”.

Zyrafete Ramadani – Shala 28 maj 2016