Ferizaj

Për zjarrin në Gjykatën e Kaçanikut, nga një muaj paraburgim tre të miturve

By FerizajPress

March 16, 2024

Gjykata Themelore në Ferizaj u ka shqiptuar një muaj paraburgim tre të miturve që dyshohet se i vunë zjarrin me qëllim objektit të Gjykatës në Kaçanik.

Ata u arrestuan më 15 mars. Për rastin u arrestua më vonë edhe një 29-vjeçar.

Sipas njoftimit të Gjykatës, zjarr-vënie pretendohet se ishte e qëllimshme.

Nga zjarri, u dëmtuan dy zyre të gjyqtarëve.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se të miturit me datë 13 mars 2024, rreth orës 03:42, me qëllim të dëmtimit me dashje kanë ndezë zjarrin në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik, ashtu që pas planifikimit paraprak, përmes shkallëve emergjente depërtojnë në katin e dytë ku me shishe hedhin benzinë në dy zyre të gjyqtarëve penalist dhe në korridor, pastaj nga shkallët emergjente ndezin zjarrin, ku për pasojë shpërthen zjarri dhe dy zyrat e gjyqtarëve dëmtohen tërësisht e po ashtu edhe korridori, kurse të dyshuarit tjerë bëjnë roje përreth gjykatës”, thuhet në njoftim.