Editorial

Për veteranët

By FerizajPress

September 16, 2018

Shkruan : Besim Imeri

Tashmë ka disa jave që në opinion është hapur një temë e ndjeshme që ka rrezik të hedhë baltë jo vetëm në sakrificën e veteranëve të UÇK-së po edhe gjithë projektin e shtetësisë së Kosovës. Me sa shihet janë dy rryma mendimesh që janë në kundërshtim te hapur në mes vete. Njërën anë e përfaqëson një prokurori kontrovers i cili gjoja ka dëshmi se ka pasur manipulime me listat e veteranëve të luftës së UÇK-së dhe në anën tjetër është kryeministri i Kosovës i cili me një gjuhë më të ashpër sesa duhej sulmoj ( dhe ofendoj) të gjithë ata që dyshojnë në abuzime me listat e veteranëve të UÇK-së. Në fakt, si çdo herë tjetër në jetë, e vërteta është më e komplikuar dhe shumë larg së qenëri monopol i njërit apo tjetrit kamp. Vështirësia e parë është në natyrën e luftës në Kosovë që e bënë të vështirë përcaktimin se kush me të vërtetë e meriton statusin e veteranit të UÇK-së. Për një pjesë të mirë të luftës , është fakt i njohur se UÇK-ja ka funksionuar si ushtri guerile. Forcat guerile tradicionalisht nuk kanë përherë struktura të qarta vertikale të përcjella me një zingjir stabil komandues. Për më shume, lufta e UÇK-se ka qenë kryesisht e koncentruar në zona rurale ; shume njerëz në fshatra të Kosovës, të përkrahur nga familjet e tyre, kanë rezistuar me armë kundër forcave serbe po jo doemos në kuadër të operacioneve ushtarake të planifikuara nga lartë. Do të ishte e padrejtë nëse në mënyrë arbitrare përjashtohen nga statusi i veteranëve njerëz që kanë mbrojtur pragun e vet, edhe pse ndoshta jo plotësisht dhe gjatë çdo kohe të integruar në strukturat e UÇK-së. Megjithatë, problem kryesor është në ligjet që përcaktuan statusin dhe të drejtat e veteranëve të UÇK -së ( shih Ligjin Nr. 04/L-54, shih linkun më poshte). Gjuha që është përdorur ne Ligjin Nr.04/L-54, posaçërisht Neni 15 për njohjen dhe rregullimin e statusit të veteranëve është subjektive dhe lë hapësirë për interpretime të ndryshme që potencialisht mund të keqpërdoren për qëllime politike. Për shembull, Pika 1 e Nenit 15 thotë se statusi i kategorive të ndryshme të dala nga lufta “konstatohet nga Komisioni Qeveritar”. Pika 7 e po të njëjtit nen thotë se Komisioni Qeveritar “themelohet me Vendim të Qeverisë” . Nën të njëjtën pike (pika 7.11 deri 7.11) janë renditur institucionet se nga vijnë anëtaret e Komisionit. Shihet ashiqare se shkrimi i këtij ligji ishte rezultat I një kompromisi politik pasi qe: a) nuk specifikon kushtet e posaçërisht dokumentacionin e nevojshëm që të kategorizoj dike si veteran dhe b) ia jep autoritetin gati se absolut për përcaktimin e statusit të veteranit një Komisioni qeveritar. Gjuha a mjegullt e përdorur në Nenin 15 të Ligjit Nr.04/L-54 ofron edhe shfajësim nga akuzat për manipulim dhe këtu qëndron arsyeja se pse Prokurori Blakaj është ngutur kur ka akuzuar për manipulime. Logjika thotë se një individ e then ligjin kur e bënë të kundërtën e asaj që thotë ligji. Vet ligji lejon hapësirë të madhe për interpretime të ndryshme. Pasi që nuk paraqet kufizime specifike, dhe duke marre parasysh që gati se çdo shqiptar i Kosovës ka kontribuar ( në një forme apo tjetër) në luftën e UÇK-se,. ligji efektivisht ia mundëson çdo shqiptari te Kosovës statusin e veteranit te luftës. Krejt çka duhet është një amin i Komisionit Qeveritar. Kryeministri i Kosovës kishte te drejte kur ishte zemëruar ne Prokurorin Blakaj dhe te tjerë qe hidhnin akuza për manipulime. E gjithë çështja mund te jete problematike po jo ne aspektin legal. Ne thelb, numri i enorm i veteraneve deri diku zhvlerëson mundin e djemve e vajzave që me të vërtetë luftuan me armë shtetin serb. I takon ushtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre të vendosin se a do të lejojnë keqpërdorimin e sakrificës së tyre. E gjithë ky debat ka edhe një anë, ajo e implikimeve të mëdha për buxhetin e Kosovës, e ndoshta këtu është esenca e brengave të shumë qytetarëve të Kosovës. Gjithsesi se është obligim shtetëror i shoqërisë alokimi i mjeteve të nevojshme për vlerësimin e kontributit të dëshmorëve dhe familjeve të tyre, të plagosurve si dhe të ushtareve të UÇK-së që janë në rrezik të rrëshqasin në varfëri, po jo edhe gjithë veteranëve që kane kontribuar në forma të ndryshme për vendin e tyre. Kosova, pavarësisht dëshirave tona, është e varfër dhe nuk mund të paguaj me gjenerata pensione për çdo dhe secilin veteran të luftës, të arsimit apo të politikës. Ndoshta një debat me i qëlluar do të ishte se sa jemi të gatshëm të sakrifikojmë të ardhmen për të nderuar të kaluarën. Kjo temë shkon përtej një diskutimi për veteranet e UÇK-se dhe prek edhe punën e arsimtarëve, minatorëve, stazhit të atyre që janë përjashtuar nga puna, viktimave të terrorit serb para luftës së UÇK-së e gati se çdokënd tjetër. Obsesioni me lista të veteraneve është i padrejtë kur si shoqëri kemi mbetur si peng i të kaluarës sonë. Zemra e problemit qëndron ne atë se jemi kapur në të shkuarën e kjo ndoshta është edhe padrejtësia më e madhe që i kemi bërë dëshmorëve tonë dhe krimi që jemi duke i bërë fëmijëve tanë.

Shtojcë

LIGJI Nr. 04/L-054 PËR STATUSIN DHE TË DREJTAT E DËSHMORËVE, INVALIDËVE, VETERANËVE, PJESËTARËVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, VIKTIMAVE CIVILE DHE FAMILJEVE TË TYRE Linkuhttps://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=2793