Editorial

Për Ju, Zjarrfikës të Ferizajt! Urime 4 Maji, Dita Juaj!

By FerizajPress

May 04, 2016

Duke e ditur se jeni numër shumë i vogël, në krahasim me nevojat dhe numrin e banorëve në Komunën tonë; Duke e ditur që Policia e FSK-ja blejnë pothuajse çdo vit automjete të reja; Duke e ditur që pajisjet Tuaja me automjete janë të dala nga përdorimi në botën moderne; Uniformat Tuaja ka kohë që nuk janë ndërruar, ato kanë humbur rezistencën ndaj zjarrit;

 

Ju qëndroni më shumë sesa duhet në luftë kundër zjarrit, merrni dioksid karboni 10 herë më shumë se standardet e lejuara në kohëzgjatjen e luftës kundër zjarrit. Ju ballafaqoheni të parët dhe vazhdimisht me rrezikun për jetën, pronën e tjetrit dhe Tuajën, e për mirënjohje shpeshherë merrni fyerjen e kërcënimin. Komuna jonë është duke u marrë me politika krejtësisht të tjera, mund të jenë gjithfarë ato, por vetëm politika shtetërore – jo. Gjatë gjithë kalendarit vjetor kemi ditë nga më të ndryshmet, ndërsa sot, më 4 Maj, është një ditë krejt e veçantë, është Dita Juaj, Dita botërore e Zjarrfikësve! Tek Ju, sot mund të mos vijë askush që t’Ju urojë, por Ju nuk duhet të dekurajoheni, duhet të vazhdoni e të luftoni ndaj zjarrit e fatkeqësive të ndryshme natyrore. Ju do të jeni heronj të Shtetit tonë në kohë paqe! Gazmend Bytyqi