Lajme

Pentagoni i premton Kosovës ndihmë në transformimin e FSK-së në ushtri

By FerizajPress

April 23, 2016

Ministri Demolli dhe gjeneral Rama zhvilluan takim në Zyrën e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes ku u pritën nga kolonel James Lampton,  Shef i shtabit për Rusi, Ukrainë dhe Euroazi.

Në takimin e ministrit Demolli dhe Gjeneral Ramës me kolonelin Lampton e ku ishin të pranishëm edhe Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneral Timothy Orr dhe Atasheu amerikan i Mbrojtjes i akredituar në Kosovë, kolonel Chad Butts, u diskutuan sfidat e sigurisë, e me theks të veçantë në Ballkanin Perëndimor si dhe sfidat e Republikës së Kosovës në aspektin e sigurisë gjithashtu, transmeton zeri.info.

Më këtë rast, Ministri i ministrisë për FSK e njoftoj kolonelin Lampton mbi hapat që ka ndërmarrë shteti i Kosovës duke aprovuar ligjin i cili ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës në luftërat e huaja, duke theksuar edhe rezultatet e arritura të gjithë faktorëve dhe institucioneve të shtetit në parandalimin e këtij fenomeni i cili ka qenë i shprehur jo vetëm në Kosovë por në përgjithësi në rajonin e Ballkanit dhe si rezultat i këtij angazhimi numri i shtetasve të Kosovës i angazhuar në luftëra të huaja është zvogëluar dukshëm.

Në takim me palën amerikane, Ministri Demolli dhe Komandanti i FSK -së gjeneral Rama  i njoftuan zyrtarët amerikan edhe mbi procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura  si dhe mbi përgatitjet që janë bërë për një transformim sa më të suksesshëm dhe mbi hapat e ndërmarrur politike për arritjen dhe përfundimin e procesit të transformimit të Forcës së Kosovës.

Nga ana e tij, gjeneral Rama foli për zhvillimin dhe profesionalizmin e FSK-së, aktivitet e Forcës brenda vendit si dhe për bashkëpunimin e saj me ushtritë e shteteve të rajonit e më gjerë.

Në takimin me ministrin Demolli dhe gjeneralin Rama, Shefi i shtabit për Rusi, Ukrainë dhe Euroazi i Zyrës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, koloneli James Limpton shprehu gatishmëri dhe mbështetje për procesin si dhe premtoj mbështetje të vazhdueshme për Kosovën në fushën e sigurisë.

Gjatë takimit kolonel Ilir Qeriqi, shef i Departamentit për Bashkëpunim dhe Siguri në MFSK bëri një prezantim me temë ”FSK dhe Partnerët”, ndërsa major Berat Shala bëri prezantim për ushtrimin fushor të FSK-së ”Eagle 5”.

Ministri Haki Demolli dhe gjeneral Rama gjatë kësaj vizite zyrtare në ShBA patën një varg takimesh të rëndësishme dhe u pritën nga shumë personalitete, dhe gjithashtu deri në përfundim të qëndrimit atje do të kenë agjendë të rëndësishme./ transmeton gazeta//Zeri/