Ferizaj

Pensionohet mësuesi dhe drejtori Halit Grainca

By FerizajPress

October 21, 2019

Për herë të fundit po ngjitet këtyre shkallëve për të shkuar tek zyra në të cilën punoi 16 vite. Është ky Halit Grainca, i cili udhëhoqi shkollën ”Halit Ibishi” në Cërnillë për 4 mandate radhazi, ndërsa sot po del në pension.

Grainca, i cili përveç që udhëhoqi këtë  shkollë  16 vite, ai ishte edhe mësuesi i parë i këtij fshati. Ai thotë se puna shumëvjeçare si mësimdhënës kishte edhe sfidat e saj.

“Jeta ime ka shkuar më gjatë ketu se në shtëpi, 45 vite,  gati një gjysmë shekulli në shkollë. Kam filluar punën në arsim nga vitit 1974, në këtë shkollë kam qenë mësimdhënës, por edhe nga viti 2003 udhëheqës i kësaj shkolle  e që kënaqësia ime ishte kjo se mision vetës ia kam dhënë që të edukoj dhe arsimoj gjeneratat dhe jam munduar t’ia arrijë. Puna në arsim është sfiduese, kemi perjetuar gjëra të rënda, kemi pasur pengesa, besa edhe burgim, por qëllim e kishim edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja“, tha Grainca.

Grainca, thotë se ndihet i kënaqur që shkollën po e lë  me një infrastrukturë mjaft moderne.

 “Sot në shkollën tonë që është e vetmja në Kosovë zhvillohet mësimi online, çdo klasë ka laptop, smart tv, dhe janë të gjitha mjetet e konkretizimit, kështu që jam i kënaqur që po i lë me një infrastrukturë të shëklqyer dhe besoj se kanë me ia dalë“, tha Grainca.

Megjithatë, ai thekson se me daljen në pension nuk do të shkëputet tërësisht nga kjo shkollë. Thotë se do të jetë aty saherë që i kërkohet ndihmë.

”Duhet me dashtë arsimin, të gjithë duhet të përkushtohen, nuk është ditë  e lehtë sot për mua, fëmijët i kam dashur, por kësaj shkolle nuk do t’i mungoj, nëse kanë nevojë për prezencën time, këshillat e mia gjithmonë do të jem prezent“, tha Grainca.

Përkushtimin për punën e drejtorit Grainca, e çmoi lartë kolegia e tij Minire Grainca, e cila punoi më shumë se 30 vjet me Graincën.

 “Ka qenë mjaft shumë entuziat të punoj, e ka dashur punën, po ashtu ka qenë shume kolegial“, tha Grainca.

Pasardhëse e Graincës do të jetë Mereme Zhinipotoku, e cila thotë se nuk do ta ketë të vështirë ta udhëheq  këtë institucion, pasi aty  ka traditë menxhuese.

“Do të jetë privilegj për mua, por edhe përgjegjësi, mirëpo në këtë shkollë mendoj që nuk do ta kem vështirë menaxhimin pasi këtu ka traditë menaxhimi“, tha Zhinipotoku.

Fjalë miradie për Graincën tha edhe drejtori i Arsimit në Ferizaj Afrim Llabjani, i cili i dhuroi edhe një mirënjohje për kontributin e dhënë në arsim.

“Po e percjellim në pension një bashkëpunëtor të suksesshëm, një mësues, një drejtor të suksesshëm dhe si të tillë ne do të mundohemi ta ndjekim rrugën e tij“, tha Llabjani.

Për t’i uruar pensionimin drejtorit të tyre,  nxënësit dhe arsimtarët kishin organizuar një program kulturo-artistik, transmeton Televizioni Tema.