Lajme

Pensionisti shqiptar pret ‘dhuratën’ milionëshe për Krishtlindje

By FerizajPress

December 25, 2016

Orhan Jegeni shpreson të marrë një pagesë të madhe të Vitit të Ri nga qeveria e tij.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, (GjEDNj), këtë pranverë vendosi që qeveria shqiptare duhet t’i paguajë Jegenit dhe familjes së tij 3.3 milionë euro për pronën që regjimi komunist u kishte konfiskuar pas Luftës së Dytë Botërore.

GJEDNJ-ja lëshoi vendimin e saj më 17 mars, duke urdhëruar qeverinë të bëjë pagesën brenda tre muajve të ardhshëm, ose deri më 17 qershor.

Më shumë se gjashtë muaj më vonë, 80-vjeçari i pensionuar në inxhinieri mekanike është ende duke pritur thirrjen telefonike nga banka e tij për konfirmimin që paratë janë transferuar.

“Unë vetëm dua që të marr paratë para Vitit të Ri për t’i dhënë fund kësaj çështjeje e cila është zvarritur për 25 vjet,” tha ai për BIRN-in më 20 dhjetor.

Kjo dhe disa raste të tjera të ngjashme në vitin 2015 dhe në vitin 2016 paraqesin një problem të madh për financat e brishta të Shqipërisë.

Deri tani, 3.3 milionë eurove u është rritur interesi për 60 mijë euro për shkak të vonesës së pagesës.

Nëse vendimet e gjykatës nuk ekzekutohen brenda afatit kohor prej tre muajsh, ajo imponon një dënim prej 3.5 për qind.

Çdo muaj vonesë në dorëzimin e parave i kushton qeverisë shqiptare me rreth 10,000 euro, të cilat do të shkojnë të gjitha për familjen Jegeni.

Megjithatë, fatura e fundit mund të jetë edhe më e madhe për qeverinë shqiptare, sepse Jegeni dhe 3.3 milionë eurot e tij janë vetëm një pjesë e një rasti shumë më të madh.

Vendimi i 17 marsit nga GJEDNJ-ja mban emrin “Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë” dhe përfshin një numër të familjeve, ish-pronarëve shqiptarë, të cilët kanë ngritur akuza kundër Shqipërisë për pasurinë e konfiskuar nga ata rreth shtatë dekada më parë.

Shuma totale që gjykata e urdhëroi Shqipërinë t’ua paguajë familjeve, arrin në 10.7 milionë euro.

Gjatë këtij viti, Gjykata e Strasburgut ka lëshuar tri vendime të tjera të ngjashme në lidhje me ish-pronarët shqiptarë, denime të cilat arritën në një shtesë prej 7.5 milionë eurove.

Pra totali i madh që do të paguhet nga buxheti i Shqipërisë është rreth 18.2 milionë euro.

BIRN-i ka pyetur Ministrinë e Financave nëse ndonjë kompensim është paguar, por nuk ka marrë përgjigje të drejtpërdrejtë deri në kohën e publikimit.

Në qoftë se qeveria ka dështuar të paguajë ndonjë prej këtyre pagesave të kompensimit, vetëm gjobat kanë arritur shumën 296.000 euro. Çdo muaj i vonesave do t’u kushtojë taksapaguesve të Shqipërisë me një denim prej 53,000 eurove.

Ministria e Financave nuk jep informacion të qartë

Duke shfrytëzuar të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare në Shqipëri, BIRN-i kërkoi të dijë nga Ministria e Financave në qoftë se ajo kishte vënë mënjanë 18.2 milionë euro që rezultojnë nga vendimet e GJEDNJ-së.

Ministria konfirmoi se fondi rezervë në buxhetin e Shqipërisë të vitit 2016 ishte i pamjaftueshëm për të mbuluar pagesa të tilla.

“Duke pasur parasysh këtë fakt, ne kemi bërë sugjerimin që vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duhet të drejtohet për herë të parë te Agjencia për Trajtimin e Pronave, për të kryer kompensimin fizik për pronat, nëse kjo është e lejuar me vendimin e gjykatës ,” thuhet aty.

Megjithatë, Gjykata e Strasburgut ishte e qartë se 18.2 milionë euro duhet të jetë kompensimi në të holla.

Kur BIRN-i ka kërkuar të dijë nga ministria nëse ata kanë paguar mdonjërin nga kompensimet dhe sa është shuma, ministria nuk arriti të japë një përgjigje të qartë.

“Aktualisht, mundësitë për pagesën e pjesës më të madhe të detyrimeve janë gjetur, si dhe me ndryshimet në buxhetin e vitit 2016, po bëhen përpjekje të japin vendimet e mësipërme (katër vendime për çështjen e pronave gjatë vitit 2016) dhe interesin e çdo dite vonesë “, thuhet në përgjigje.

Sokol Puto, një avokat i cili ka mbrojtur ish-pronarët në Strasburg, tha për BIRN-in se Shqipëria ishte e detyruar të paguajë në përputhje me vendimin e gjykatës ashtu siç e ka miratuar Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Procesi i kompensimit është monitoruar nga një komitet i Këshillit të Europës.

Ai vuri në dukje se Shqipëria ka paguar të gjithë pronarët, vendimet për të cilët janë lëshuar në vitin 2015, ndërsa katër vendimet e dhëna në mars dhe prill të vitit 2016 janë ende në proces.

Puto beson se një fond i veçantë në buxhet në lidhje me vendimet e Gjykatës së Strasburgut do të ishte mënyra më e mirë për t’u marrë me problemin.

“Në buxhetin e vitit 2015, qeveria kishte një fond të veçantë për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës ndërkombëtare në të cilat është përfshirë Gjykata e Strasburgut,” kujton ai.

“Sa i përket vitit 2016, unë nuk e di nëse ndonjë fond i veçantë është vënë mënjanë për këtë çështje dhe në buxhetin 2017 një fond si ky nuk është parashikuar,” shtoi ai.

Fondi rezervë në të cilën qeveria duket se është mbështetur në vitin 2016, është përdorur për lloje të ndryshme të emergjencave, por nuk është i përshtatshëm për të mbuluar pagesa të mëdha si në këto raste.

Megjithatë, qeveria beson se ligji i ri për pronat i miratuar në vitin 2015 do të sigurojë kompensim të ligjshëm për të gjithë pronarët e mëparshëm.

Në ligjin e ri, qeveria u zotua për të vënë mënjanë rreth 400 milionë euro dhe 23.000 hektarë të tokës bujqësore për përdorim për më shumë se 10 vjet për të kompensuar rreth 26.000 raste.

Ligji gjithashtu parashikon që ish-pronarët mund të kompensohen me asete fizike.

“Me miratimin e ligjit të ri të pronave, çështja e pronave është zgjidhur plotësisht dhe eliminon kostot e paparashikuara që vinin nga Strasburgu në lidhje me këtë çështje”, shkruhet në deklaratën e ministrisë dërguar për BIRN-in.

Kjo mbetet për t’u parë. Vetëm një herë, rastet e para të ish-pronarëve janë shqyrtuar nga gjykatat shqiptare. Sipas këtij ligji do të shihet nëse njerëzit janë të kënaqur me procesin ligjor në vendin e tyre, apo nëse ata ende do të kërkojnë drejtësi nga Strasburgu.

.