Lajme

PDK zyrtarizon sot ministren e re të Drejtësisë

By FerizajPress

July 11, 2016

Edita Tahiri e Hykmete Bajrami nuk do të jenë të vetmet ministre në Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa. Kjo pasi që Dhurata Hoxha, pritet të jetë ministrja e ardhshme e Drejtësisë.

Dhe zyrtarizimi i saj si ministre, siç mëson Telegrafi do të bëhet në një konferencë të paralajmëruar nga Partia Demokratike e Kosovës, sot në ora 11:00.

Ajo do të zëvendësojë bashkë partiakun e saj, Hajredin Kuçin, i cili do të mbajë vetëm postin e Zv.Kryeministrit të vendit.

Për të mbërritur në postet e larta të shtetit e të marrë detyra të rëndësishme, ministrja e re e Drejtësisë, karrierën e nisi në vitin 1999, ku punoi në Ambasadën e Britanisë së Madhe, si menaxhere e projekteve, kurse më vonë edhe në Zyrën Amerikane (tani Ambasada e SHBA-së) në Prishtinë në seksionin POL /ECON.

Hoxha ka qenë gjithashtu e përfshirë në shumë projekte si konsulente.

Ministrja e re, Dhurata Hoxha, është një kuadër i ri profesional i edukuar në SHBA, me ekspertizë në sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, raporton lajmi.net.

Interesi i saj hulumtues dhe kërkimor përfshin sigurinë ndërkombëtare dhe kombëtare, kërcënimet globale kundër terrorizmit, sigurinë e energjisë, sundimi i ligjit, dhe qeverisja e mirë.

Që nga viti 2008, Hoxha është gjithashtu profesor jo i rregullt në kolegjin ESLG dhe Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), ku ajo ligjëron lëndët si Terrorizmi dhe Dhuna Politike; Feja dhe Globalizimi, Politika dhe Politikat Publike; Etika në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, dhe Vlerat dhe Politikat Publike.

Krejt këto, pasi ajo ka përfunduar studimet Master në Departamentin e Studimeve të Sigurisë, me koncentrim në sigurinë ndërkombëtare, në Georgetoën University në Washington DC.

Ministrja e re, Dhurata Hoxha, ka përfunduar studimet e saj universitare në ‘Graceland University’, ku edhe diplomoi në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike me nderime të larta.

Aktualisht, Hoxha është Këshilltare Politike e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ku përgjegjësitë e saj mbulojnë politikat e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Para se të emërohej në pozitën aktuale ka qenë Këshilltare e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën pozitë është emëruar që nga marsi 2011 – dhjetor 2015. Përgjegjësitë e saj kryesore kanë qenë në fushën e sigurisë kombëtare si dhe sundimit të ligjit.

Përvoja e Hoxhës përfshinë edhe detyrën e këshilltares së ministrit të Punëve të Brendshme që nga tetori 2008 – mars 2011.

Ndërsa në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Dhurata Hoxha ka kontribuar në hartimin e legjislacionit kyç të sigurisë, duke përfshirë edhe strategjitë kryesore të sektorit të sigurisë.

Hoxha aktualisht është anëtare e Kryesisë qendrore të PDK-së, si dhe e Kryesisë së PDK-së dega Prishtinë kurse në zgjedhjet e fundit, si anëtare e PDK-së, ajo ishte edhe kandidate për deputete në Parlamentin e Kosovës.