Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Ferizaj, ka kritikuar ashpër udhëheqjen e kësaj komune nga LDK-ja.
Përmes një konference nënkryetari i degës së PDK-së në Ferizaj Lulzim Aliu e ka akuzuar kryetarin e kësaj komune Muharrem Sfarqen, për ndërtime pa leje në këtë komunë.
Kjo është komunikata e plotë e PDK-së:
Fokusi ynë, edhe kësaj radhe, është dëmi që po i shkaktohet komunës sonë dhe Qeverisë së Kosovës për shkak të keqmenaxhimit, injorancës dhe veprimit me inat.
Fokus është mosrealizimi i projektit për ndërtimin e objektit të Qendrës Rinore dhe Kinemasë.
Ky objekt është planifikuar që të ndërtohet me bashkëinvestim me Qeverinë e Kosovës.
Por, bazuar në faktet e mbledhura këtyre ditëve, ky projekt do të dështojë së realizuari.
Arsyeja e dështimit është se objekti i paraparë me buxhet të vitit 2016 nuk ka leje ndërtimi.
Nuk ka leje ndërtimi sepse prona ku ka filluar ndërtimi është pronë e huaj, nuk është pronë e komunës.
Dmth. Kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa, uzurpon pronën e huaj dhe me paratë që i merr nga Qeveria e Kosovës dhe nga Buxheti i Komunës së Ferizajt fillon të ndërtojë, në atë pronë, objektin e Qendrës Rinore dhe Kinemasë për të cilin nuk është marrë leje ndërtimi.
Për të realizuar këtë mashtrim Kryetari i Komunës ka përdorur mekanizmin që e ka pasur nën ndikim të plotë, Zyrën e Prokurimit dhe Zyrën e krijuar joligjshëm të inspektoriatit.
Në këtë rast, nuk e shoh të tepërt t’jua kujtoj se kohë më parë, Kryetari Svarqa, në mënyrë të paligjshme, në kundërshtim me Statutin e Komunës dhe Ligjin për Vetqeverisje Lokale, formoi Zyrën e inspektoriatit dhe në krye të saj vendosi një shef, poashtu, në mënyrë të paligjshme.
Ai i mori inspektorët nga Drejtoria e Urbanizmit sepse “nuk besonte” se drejtori i kësaj drejtorije, z. Faik Grainca, do të ndalte ndërtimet e egra në qytet.
Shef i kësaj Zyreje të inspektorëve, në kohën e fillimit të ndërtimit të këtij objekti ishte i përzgjedhuri në mënyrë të paligjshme i Kryetarit, z.Ismet Vranovci.
Ndërsa në kohën kur u shpall tenderi për punë me 06.07.2015 dhe në kohën kur Kryetari nënshkroi kontratën e punës me 09.09.2015, në vlerën prej 419,000.00 eurosh,. Shef i Zyrës së Prokurimit, në kundërshtim me ligjin, ishte Abdyrrahman Uruçi.
Të gjithë të lartpërmendurit e kanë ditur se leja e ndërtimit lëshohet në emër të pronarit të tokës dhe jo në emër të investitorëve.
Në anën tjetër, sigurisht,Kryetari nuk ka mundur të bind Drejorinë e Urbanizmit që të lëshojë leje ndërtimi në një tokë të huaj.
Poashtu, tash, shef i zyrës së inspekorëve nuk ëstë më Ismet Vranovci për të penguar inspektorët të kryejnë punën e tyre.
Ata, para disa ditësh, dhanë urdhër që të ndërpriten punimet.
Rrjedhimisht Kryetari e ka ditur se ky objekt nuk mund të ndërtohet dhe ,përderisa nuk zgjidhet çështja e pronësisë së kësaj tokeje, ky projekt do të dështojë.
Si pasojë do të dëmtohet buxheti i Komunës, ai i Qeverisë dhe i kompanisë që e ka fituar tenderin.
Është keq që Kryetari ia vuri komunës emrin e uzurpatorit,
Është keq që ai u bë shembul dhe motiv i ndërtimeve të egra e pa leje,
Është keq që rrezikoi kot pasurinë e komunës sonë,
Është keq që vuri në lajthitje Qeverinë e Kosovës,
Është keq që urdhëroi inspektorët të mos e pengojnë ndërtimin,
Është keq që ai e nënshkroi kontratën për ndërtimin e objektit pa leje,
Është keq që ai urdhëroi Zyrën e Prokurimit të shpallë tenderin në mënyrë të parregulltë,
Fatkeqsisht, siç po e shihni, keqpërdorimi i pasurisë publike dhe dëmet materiale e morale që po bëhen nga ana e kryetarit Svarqa nuk kanë të ndalur.
Shqetësimi ynë është se, siç është vonuar tepër shumë zgjidhja e propblemit të varrezave të qytetit, siç është shtyer tej mase ndërtimi I spitalit rajonal, ashtu do të ndodhë edhe me këtë qendër të rinisë, dhe krejt kjo si pasojë e punës pa rregull, e punës pa kritere.
Nëse I gjith ky investim I deritashëm edhe kësaj rradhe do të shkojë huq atëherë, shuma e dëmeve materiale që I bëhet buxhetit të komunës,për shkak të menaxhemit të keq dhe paaftësisë për të qeverisur, është milionëshe.
Për dëmet morale që po I shkaktohen emrit të institucionit të kryetarit as mos të flasim.
Prandaj, kërkesa reale që ne kemi për këtë kryetar dhe për këtë qeveri lokale është :
Punoni me rregulla, me kritere, respektojeni ligjin, ruajeni pasurinë tonë dhe mos punoni më në mënyrë paushalle.