Ferizaj

PDK në Ferizaj sërish akuzon kryetarin e Ferizajt për shkelje të ligjit

By FerizajPress

September 03, 2016

PDK në Ferizaj,në një konferencë të mbajtur për medie sërish ka akuzuar kryetarin e Ferizajt, Muharrem Svarqa, për shkelje të ligjit.

Lulzim Aliu,nënkryetar i PDK-së  në Ferizaj , me këtë rast ka  akuzuar kryatarin Svarqa se  nuk po respekton  ligjin për shpenzimin e parasë publike  dhe menaxhimin e pronës  së komunës.

  Aliu  ka ngritur shqetësimin se pa asnjë ankand publik dhe në mënyrë të paligjshme i është dhënë në shfrytëzim një hapësirë  brenda objektit t komunës  kompanisë “Vllesa co” Shpk  nga Suhareka.

“Në këtë rast kompania financiare “Vllesa co” shpk është favorizuar, po ashtu në mënyrë të paligjshme, që të mundësojë pagesat e qytetarëve për të gjitha dokumentet që nxirren brenda komunës përfshirë edhe taksat” ka thënë Aliu.

 Deklaratën ë plotë nga kjo konferencë mundë  ta lexoni në vazhdim.

Partia Demokratike e Kosovës  edhe me këtë konferencë po përpiqet që në vazhdimësi të kryej obligimin e vet qytetar dhe ligjor që e ka marrë në dhjetor të vitit 2013.

Qëndrimi ynë i përhershëm karshi pushtetit ka qenë, është dhe do të jetë qëndrimi konstruktiv dhe progresiv.

Qëllimi ynë kryesor ka qenë dhe është që, edhe më tutje, në vend të një qeverisjeje paushalle, të imponojmë një qeverisje të bazuar në rregulla dhe ligje.

Ndërsa shumë shqetësuese për ne është fakti se, përkundër kujdesit tonë, vërejtjeve të vazhdueshme, këshillave kolegiale si në mbledhjet e Kuvendit të Komunës ashtu edhe në prononcimet tona publike, Kryetari i Komunës së Ferizajt po tregohet tekanjoz dhe mospërfillës.

Përkrahja  e paligjshme që i është bërë nga Qeveria e Kosovës, në rastin kur Grupi Parlamentar i PDK-së, në mënyrë të argumentua, pat kërkuar suspendimin e tij, e ka bërë Muharrem Svarqën të ndjehet i paprekshëm.

Mosrespektimi i ligjeve që e rregullojnë shpenzimin e parasë publike dhe menaxhimin e pronës së komunës është rrezik i madh për shtetin tonë.

Përpos dëmeve të mëdha materiale që qeverisja paushalle e Svarqës po i bën vendit, më e rënda është ajo që, monarkia që ka ndërtuar ai, po shkakton jo besim të pariparueshëm të qytetarët tanë.

Për atë që kemi parë në tri vitet e udhëheqjes së Muharrem Svarqës konkludimi është i pashmangshëm: ai është jo vetëm cenues i Kushtetutës së Kosovës por është përdhunues i saj.

Me keqardhje, të nderuar qytetarë të Ferizajt, më duhet të dëshmoj se ai, Kryetari i Komunës sonë, jo vetëm në të kaluarën, por edhe tash, i ka shkelur dhe po i shkel të gjitha ligjet, ama bash të gjitha ligjet, që e rregullojnë funksionimin e pushtetit në nivel lokal.

Asnjë euro e parasë publike nuk mund të harxhohet nga Qeveria lokale dhe asnjë cm e pronës së komunës nuk mund të ipet në shfrytëzim nga Kryetari pa vendim të Kuvendit dhe pa procedura të hapura të konkurimit.

Dëshmia e jonë e sotshme për ju, të nderuar qytetarë, është një kontratë për dhënien e pronës së komunës me qera e cila është bërë në mënyrë rreptësisht të ndaluar.

Fjala është për një hapësirë brenda objektit të komunës, mu në hyrje të sallës së Kuvendit, të cilën kryetari i komunës, me datën 07.07.2016, ia ka dhënë për shfrytëzim, në mënyrë të parregullt, kompanisë “Vllesa co” Shpk  nga Suhareka.

Në këtë rast kompania financiare “Vllesa co” shpk është favorizuar, po ashtu në mënyrë të paligjshme, që të mundësojë pagesat e qytetarëve për të gjitha dokumentet që nxirren brenda komunës përfshirë edhe taksat.

Sipas Ligji Nr. 04/L-144 PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM DHE KËMBIMIN E PRONËS SË PALUAJTSHME TË KOMUNËS, neni 5 pika 1, Procedurat për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim afatshkurtër, realizohen përmes konkurrencës së hapur publike dhe procedurave të parapara me këtë ligj.

Sipas nenit 7 të po këtij ligji, Kryetari i Komunës i propozon Kuvendit të Komunës për miratim paraprak pronën e paluajtshme të Komunës për dhënien në shfrytëzim personave fizik dhe juridik, duke paraqitur arsyet dhe interesin publik.

Ndërsa në Nenin 10, ku shpjegohet Dhënia e pronës së paluajtshme të Komunës për rastet e veçanta, ky rast nuk është i përfshirë.

Dmth në rastin e lidhjes së marrëveshjes në mes të komunës dhe “Vllesa co” shpk nga Suhareka nuk është respektuar asnjë procedurë e paraparë me ligjin e vetëm që e rregullon këtë çështje.

Si përfundim, ftojmë sërish Prokurorin e Shtetit që të ndërmarr masa konkrete për të mbrojtur vendin tonë që të mos rrëshqas drejt anarkisë.