Ferizaj

PDK: Kryetari kontraktoi kompani fiktive për pastrimin e rrugëve nga bora

By FerizajPress

January 14, 2017

Në një konferënce për medie PDK,dega në Ferizaj ka ngritur shqetësimin për problemet të cilat e përcjellën Ferizajn  gjatë reshjeve të fundit të borës.

“Jemi këtu për të shprehur publikisht mospajtimin tonë për papërgjegjshmërinë e Kryetarit të Ferizajt dhe qeverisë lokale, karshi obligimeve dhe përgjegjësive ligjore të tyre” ka thënë  Lulzim Aliu, nënkryetar i PDK-së dega në Ferizaj.

Aliu me këtë rast ka falënderuar kompanitë private të cilat ndihmuan në sanimin e gjendjes  në qytetin e Ferizajt.

“Fillimisht, përmes kësaj konference kemi dashur po ashtu të falënderojmë sinqerisht të gjitha kompanitë private të cilat i dolën në ndihmë kryetarit të pandërgjegjshëm të komunës sonë për të sanuar rrezikun që e kaploi qytetin tone tri ditë radhazi, pas reshjeve të para të bores.Të jashtëzakonshme kanë qenë përpjekjet e tyre për t’i bërë rrugët e kalueshme në çdo cep të qytetit tonë, përfshirë të gjitha fshatrat. Partia Demokratike falënderon edhe Labinot Tahirin i cili në baza po ashtu vullnetare, bashkë me një grup qytetarësh, dhanë kontributin e tyre human në situatën e rëndë të krijuar, pas plogështisë së plotë të qeverisjes lokale” ka tëhën Lulzim Aliu.

Aliu ka thënë se “Të papranueshme janë arsyetimet se kompania publike Pastërtia ka dështuar. E vërteta është se Kryetari e ka ditur kohë më parë se kjo kompani ka qenë para kolapsit dhe falimentimit pikërisht për shkak të politikave të tij të mbi punësimit në këtë ndërmarrje”

“Është shqetësuese dhe e dyshimtë për ne pse Kryetari, kur shpalli gjendjen emergjente, nuk e tha asnjë fjalë për kompanitë private që kishin fituar tenderin për të pastruar rrugët e fshatrave të Ferizajt. Këtyre ditëve u dëshmua se ato kompani ishin fiktive dhe pa asnjë mjet pune për t’iu përgjigjur obligimeve që i kanë marrë me rastin e lidhjes së kontratës për punë. E vërteta e hidhur dhe e pakontestueshme e këtyre ditëve ka qenë se asnjëra kompani që ka fituar tenderët për pastrim të rrugëve nga bora nuk e kanë kryer punën e tyre. Besojmë që një ditë,të gjithë këta akterë të kësaj amullie, do të përgjigjen para drejtësisë. Pavarësisht nga ajo se çka ndodhur ditët e kaluara, shqetësimin tonë e ka rritur edhe më shumë deklarimi i djeshëm i Kryetarit të Komunës në konferencën e tij për shtyp. Ai tha, duke u lëvduar, se për pastrimin e rrugëve për tërë dimrin ka ndarë vetëm 30 mijë euro. Ndërsa, bazuar në kontratat e lidhura me komunën, kompanitë private që i kanë fituar tenderët, po të kishin mjetet e punës, për t’i mbajtur rrugët e kalueshme nëpër të gjitha fshatra do të merrnin mbi 90 mijë euro” ka thënë Lulzim Aliu.

Aliu me këtë rast ka pyetur se  “Çka do të bëjmë në ditët me reshje të mëdha të dëborës, të paralajmëruara nga meteorologët, me këtë buxhet e me këto kompani, vërtetë është shqetësuese”

“Në këtë rast, ftojmë kryetarin e komunës, që të thërras një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës me ç’rast do të ndanim një buxhet të ri për të përballuar situatat e reja që do të krijohen në ditët në vazhdim të këtij dimri. E ftojmë atë që të lë deklarimet dhe lëvdimet e rrejshme për planifikim të mirë të parasë publike. E vetmja gjë që ai duhet ta bëjë është t’i falënderojë njerëzit zemërgjerë e human ndërsa ai vet të ndërmarr hapat e nevojshëm ligjor për të përballuar sfidat e reja. Ditët në vazhdim mund të jenë edhe më të rënda ndërsa me këtë formë të menaxhimit mund të jenë edhe të papërballueshme” kanë thënë në fund të kësaj konference Lulzim Aliu, nënkryetar i PDK-së dega në Ferizaj