Ferizaj

PDK e Ferizajt në fillim të gushtit publikon kandidatin për kryetar komune

By FerizajPress

July 18, 2017

Si duket pushimet e verës së sivjetshme nuk do t’i shijojnë të gjithë, sidomos politikanët lokal, të cilët tashmë kanë filluar angazhimet për zgjedhjet lokale. Kështu thotë edhe kryetari i PDK-së në Ferizaj Agim Aliu, duke bërë të ditur se pas shpalljes së rezultateve  të zgjedhjeve nacionale, partia e tij ka filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Aliu tregon se tashmë janë në fazën e përpilimit të listës me kandidaturat  për këshilltarë komunal.

“Ne tashmë kemi marrë disa vendime si kryesi e degës. Kemi përgjedhur shtabin zgjedhor të PDK-së, kemi marrë vendime për mënyrën se si do të jetë profili i të propozuarve të kandidatëve dhe tashmë këtë debat e kemi bartë në nivel të nëndegëve, gjatë kësaj jave presim që nëndegët të bëjnë propozimet e tyre dhe kryesia të bëjë 44 kandidatura, po ashtu është një vendim që kandidati për kryetar të jetë edhe bartës i listës së këshilltarëve. Ne do ta përmbyllim këtë proces me propozimet që do t’i bëjnë të gjitha nëndegët dhe pastaj do të kemi një listë prej 90 të propozuarve mbi bazën e të përzgjedhurve më të mirë”, tha Aliu.

Por, për kandidatin për kryetar komune, dega e PDK-së në këtë qytet ende nuk është gati të flas. Kryetari i këtij subjekti në Ferizaj, Agim Aliu, thotë se partia e tij është e hapur për çdo anëtar që tashmë ka shprehur ambiciet për kandidim,  por që për emra final ende nuk është vendosur.

“Dega e PDK-së është duke analizuar kujdesshëm dhe jemi në fazën e konsultimeve, jo vetëm për listën, por edhe për  kandidimin  për kryetar komune. Vendimi për këtë proces do të jetë në harmoni të plotë me atë që është konsensus i partisë në nivel lokal dhe qendror pasi që statusi i PDK-së e rregullon këtë çështje që kryetari i PDK-së  në bashkëpunim me degët të vendosin edhe për listën për Kuvendin Komunal dhe kandidatin për kryetar komune. Unë po besoj që fillimi i gushtit do të jetë koha kur ne si parti do të dalim publikisht me emrat e kandidatëve për Kuvendin Komunal, por edhe me kandidatin për kryetar komune”,theksoi ai.

Mirëpo në çfarë pozite do ta shohim Agim Aliun pas 10 ditësh? Deputet i Parlamentit të Kosovës apo kandidat për kryetar komune?!

“Unë mendoj se në ditët në vijim së bashku me miqtë e mi dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjen do e sjellë vendimin se ku do të jetë Agim Aliu.

 Agim Aliu gjithmonë ka qenë ai që në radhë të parë ka pasur interesin e qytetarëve, nuk kam shprehur gjatë gjithë jetës time politike ndonjë ambicie të caktuar. Edhe në vitin 2012 kur kam kandiduar për kryetar komune kam qenë i fundit që kam shpreh ambicien, do të thotë vetëm jam pajtuar me një konsensus të përgjithshëm, sepse unë konsideroj se më shumë se ambicia ka rëndësi mentaliteti dhe të vepruarit politik të cilitdo prej nesh, sepse mendoj se ka ardhur koha që politikanët duhet të ndryshojnë të menduarit politik të tyre”, u shpreh Aliu.

Në këtë intervistë për Televizionin Tema,  kryetari i degës së PDK-së në Ferizaj, Agim Aliu, vlerësoi se Kosova është në një moment kur partitë politike, sidomos ato tradicionale, duhet të bëjnë hapa të ndryshimit,  si në strukturë ashtu edhe në  mentalitet e në menaxhim. / TELEVIZIONI TEMA /