Lajme

Pas Shqipërisë e Maqedonisë, Kosova do që patentë-shoferët t’i njihen edhe në Gjermani, Francë e Zvicër

By FerizajPress

February 04, 2019

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një njoftimi për media, thotë se në kuadër të përpjekjeve të saja për njohje ndërkombëtare të dokumenteve personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, deri më tani ka nënshkruar marrëveshje me Republikën e Shqipërisë dhe Maqedonisë për njohje reciproke të patentë Shoferë të Republikës së Kosovës.

“Në kuadër të përpjekjeve për shtrirje më të madhe të njohjeve të Patentë shoferëve, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka nënshkruar dhe dërguar sot në ministrinë e Punëve të Jashtme kërkesat për marrje të Rekomandimit për miratimin në parim nga Qeveria të nismave për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare për Njohjen Reciproke të Patentë Shoferëve”, thuhet në njoftimin për media të MPB-së.

Me këtë rast kërkohet që ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverive të Republikës Federale Gjermane, Konfederatës Helvetike, Republikës Franceze dhe Republikës së Malit të Zi, të fillojnë nisma për njohje reciproke të Patentë Shoferëve.

“Ministria e Punëve të Brendshme vitin e kaluar ka lansuar patentë shoferin me dizajn të ri, të cilët janë të pajisur me teknologjinë e fundit për siguri të dokumenteve dhe janë në harmoni me direktivat e BE-së”, thuhet në njoftim.