Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë me dije se nuk do të organizojë pritje për ngushëllim për vdekjen e babait të tij, Muharrem Aliut.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i Ferizajt nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, derisa ka thënë se përkundër se ishte në planifikim, për shkak të masave të reja ka vendosur ta anulojë organizimin për pritje për krye shëndoshë.
“Me vendimin e pak ore më parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat mbrojtëse nga pandemia COVID-19, ndalohen pritjet për ngushëllime (të pamet), andaj pavarësisht se kishim planifikuar dhe njoftuar pritjen për ngushëllime në respekt të kujtimit të babait tim, Muharrem Aliu, jemi të detyruar ta anulojmë atë, në respektim të masave mbrojtëse për shëndetin e qytetarëve”, ka shkruar ndër të tjera ai.