Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka bërë me dije se koalicioni qeverisës është unik sa i përket dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se partnerët qeveritarë po angazhohen për arritjen e konsensusit për këtë proces, pjesë e të cilit shpreson se do të jenë shumica e partive opozitare. Në një intervistë për gazetën ‘Epoka e Re’, ai ka theksuar se për AAK’në është jetike që të ketë një konsensus politik jo vetëm për udhëheqësin e bisedimeve, por edhe për platformën dhe për strategjinë, ose qasjen që do ta ketë Kosova në këtë proces. Sa i përket funksionit të Kuvendit, Nitaj ka deklaruar se koalicioni qeverisës nuk do ta ketë problem çështjen e numrave dhe fuqisë për të vepruar.