Ferizaj

Parkingu me pagesë edhe jashtë qendrës së qytetit

By FerizajPress

March 23, 2017

Ferizaj.23.03.2017. Ndërmarrja ‘’Ambienti’’ e themeluar këtë vit, ka zgjeruar veprimtarinë e saj. Përveç rrugëve që ka menaxhuar deri më tani, kjo kompani nga dje ka filluar të kujdeset edhe për parkingjet tjera publike që ndodhen nëpër qytet. Drejtori i kësaj ndërmarrje, Izet Rushiti, tha se tashmë shumicën e rrugëve i kanë nën menaxhim dhe qytetarët janë të obliguar të paguajnë për shfrytëzimin e hapësirave publike.

“Nga muaji shkurt kemi bërë shumë njoftime se do të jetë me pagesë secila rrugë paraprakisht dhe janë të njoftuar qytetarët, mirëpo këto janë hapësira publike, Kuvendi Komunal na i ka dhënë nën menaxhim neve dhe askush nuk e ka të drejtën ta liroj dikën ose të lirohet dikush nga hapësirat publike, kompania jonë i ka në menaxhim këto parkingje dhe qytetarët natyrisht duhet të paguajnë për atë që e shfrytëzojnë”,tha Rushiti.

Parkingjet me pagesë po i kundërshtojnë qytetarët ferizajas, duke thënë se kjo është bërë për interesa të komunarëve.

“Këtë çka e ka bërë komuna është katastrofë, as nuk kanë ardhë me u konsultua me banorë, vetëm kur i kemi pa punëtorët, plus 40 cent me ba orën, ne e kemi lokalin këtu, i paguajmë komunës të gjitha obligimet si biznes, atëherë pse jemi duke i paguar këto obligime kur nuk po na u ofrohen kushte, tash ku të mundemi duhet me u parku ose me hy në parkingje të banesave  pasi që nuk ja vlen me pagu, kjo që janë duke bërë është marri, a janë duke punuar për popull a për interesa të veta”, tha Kreshnik Rexhepi.

Ne jemi punëtorë të spitalit, spitali nuk ka parking të vetin kështu që ne sa herë që të vijmë në punë duhet me pagu parking, ka edhe banorë që jetojnë këtu duhet të paguajnë edhe ata, kjo është një keqmenaxhim, keqqevrisje që tregon se sa mendojnë për qytetarët”, tha Driton Ferizi.

E, në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Ferizaj, thonë se ndërtesave që nuk kanë praking, komuna nuk e ka për obligim t’ua siguroj atë.

 “Ato ndërtesa ku janë të ndërtuara me siguri kanë parkingje të veta, ne i kemi sugjeruar kësaj ndërmarrjeje që kur të lidhin kontrata me biznese të jenë 5 vende që t’u japim mundësi edhe qytarëve tjerë për parking, ndërsa për qytetarë secila ndërtesë ka parkingjet e veta le t’i shfrytëzojnë ndërsa ato që nuk kanë komuna nuk është e obliguar me i sigurua askujt vend parking”,tha Hajrush Leka.

Për të shfrytëzuar parkingjet publike, qytetarët duhet të paguajnë 40 centë për një orë, transmeton Televizioni Tema.