Ministria e Infrastrukturës më 29 maj të këtij viti ka njoftuar se autostrada “Arbën Xhaferi” do të përurohet.
Po të njëjtën ditë është paralajmëruar në protestë nga banorët e fshatit Paldenicë, në shenjë pakënaqësie për mbylljen e disa rrugëve fshati, raporton KTV.
Banorët fajësojnë Ministrinë e Infrastrukturës dhe kompaninë “ Bechl Enka” për mospërmbushje premtimesh.
Bashkë me banorët do të protestojë edhe kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, i cili ka thënë se për këto masa janë detyruar nga shpërfillja e institucioneve qendrore.
Suma ka theksuar se ka ftuar zëvendësministrin e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, për të parë gjendjen nga afër, por pavarësisht konfirmimit, ai nuk e ka realizuar vizitën.
Që nga nisja e ndërtimit të kësaj autostrade, banorët e këtij fshati kanë protestuar dhjetëra herë. Në shenjë proteste, ata pak javë më parë patën bërë një kalim këmbësorësh në mes të autostradës “Arbën Xhaferi”.