Ferizaj

Paraburgim ndaj të dyshuarit për armëmbajtje dhe kanosje

By FerizajPress

October 13, 2020

Ferizaj 13 tetor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimitndaj të pandehurit E.R. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe veprës penale kanosja.

Gjyqtarja e procedurës paraprake Hysnije Gashi, kërkesën eprokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri E.R. ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, se ka kanosur seriozisht me armë të dëmtuarin I.T. pas një mosmarrëveshje me të pandehurin, andaj ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë provat e veprës penale, apo të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarët dhe të dëmtuarin.