Ferizaj

Paraburgim ndaj F.I., i dyshuar për veprën penale dhunimi

By FerizajPress

February 14, 2025

Ferizaj, 14 shkurt 2025 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.I., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer në vazhdim veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). 

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Ilir Bytyqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se nga fundi i muajit janar 2025 deri në fillim të muajit shkurt 2025, në vazhdimësi në një rrugë të Ferizajt, përkatësisht në tualetin publik të hyrjes së një ndërtese afër lokalit “T.” pronë e të pandehurit, i pandehuri ka detyruar të dëmtuarën e mitur e moshës njëmbëdhjetë (11) vjeçare, që të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj, në atë mënyrë derisa kishte shkuar në lokalin që gjendet në hyrje të banesës së saj ku i pandehuri shiste cigare – gjëra ushqimore, i pandehuri e kishte marrë të dëmtuarën e kishte quar në tualet publik në hyrje të banesës, në të cilën i pandehuri kishte kryer akt seksual dhe sipas të dëmtuarës rast i njëjtë kishte ndodhur edhe një herë tjetër para disa ditëve. 

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.