Dr. Burim Karameta – Psikiatër
Meqë kohëve të fundit, për shkak të virusit COVID-19, numri i pacientëve për trajtime psikiatrike ka pësuar rritje sinjifikante, mendoj që nëpërmjet këtij shkrimi, sadopak do t’ua lehtësojmë gjendjen e rënduar të shëndetit mendor atyre që hezitojnë të vizitojnë profesionistët për trajtime psikiatrike apo psikologjike, sic janë psikiatrit ose psikologët. Duke marrë parasysh mentalitetin e shoqërisë tonë, mentalitet ky që vizitat psikiatrike apo tek psikologët i konsiderojnë vetëm për njerëz me sëmundjet më të rënda psikiatrike e psikologjike,”të çmendur” siç përdoret nga ta, jam thellësisht i bindur se, është bërë imperativ i kohës që ne si profesionist të mendjes të ofrojmë sa më shumë këshilla për të gjithë ata që kanë nevojë, dhe në këso forma. Natyrisht se, secila formë e këshillimit, me krijimin e raportit të shëndoshë e mirëbesues në fund do të kemi efektin pozitiv.
Pandemia globale e shkaktuar nga virusi COVID-19 krijoi një situatë të paprecedentë me impakt serioz në jetën e individëve. Frika e paniku nga e panjohura për virusin COVID-19 provokoi ankth e depresion te një masë e konsideruar njerëzore, provokim ky që pastaj derivoi sëmundje më të thella mendore. Ndryshimi rrënjësor i aktiviteteve jetësore goditi rënd shëndetin mendor tek disa njerëz.
Është gjë normale të përjetuarit e një niveli të caktuar frike dhe madje është dhe e dobishme, sepse shtyn në drejtim të një qëndrimi mbrojtës dhe respektimit të rekomandimeve e masave zyrtare që kanë për qëllim mbrojtjen nga infektimi nga COVID-19, të cilat rekomandime e masa janë të domosdoshme për mbrojtjen e qytetarëve. Por, frika nga sëmundja, frika nga vdekja është formë tjetër dhe rënduese për gjendjen e shëndetit mendor. Megjithatë, është e rëndësishme të kujdesemi, duke menaxhuar frikën që të mos kthehet në panik, ngase po nuk u menaxhua siç duhet frika, problemet do të dyfishohen për çdo njeri.
Në kuadër të ruajtjes së shëndetit mendor, duhet të fokusohemi më shumë tek ato gjëra që na mbajnë më të qetësuar, si ecja në natyrë, marrja me aktivitetet rekreative e sportive, biseda rreth kujtimeve të bukura, meditime, biseda relaksuese me miqtë, qëndrimi në ambiente familjare, duke hequr vëmendjen nga lënia e hapësirës së mendimeve rreth frikës dhe sëmundjes, numrit të vdekjeve, numrit të sëmurëve apo duke skajuar çdo lajm i cili të rëndon me mendime negative. Ngarkesat e panevojshme të mendjeve tona të bëjnë të paftë, në rast se infektohemi nga viruset, që t’i mundim ato, sepse frika e vazhdueshme kalon në nivel të panikut, paniku e shqetësimi krijon stresin dhe depresionin, ndërsa stresi e depresioni ulin fuqinë e sistemit tonë imunitar në luftën kundër sëmundjeve virusale e jo vetëm.
Po që se ndonjëri vëren shqetësime më të rënda, ngaqë nuk është në gjendje i vetëm të menaxhoj rëndimin e shëndetit mendor, duke parandaluar kriza mendore dhe emocionet negative duhet të konsultoheni profesionistët e fushës, sepse është tejet e rëndësishme të ndani përjetimet tuaja me një person të besuar.