Lajme

Pajtim gjyqësor që shkaktuesi i aksidentit ta rimbursojë Byronë e Sigurimeve

By FerizajPress

July 02, 2018

Në Gjykatën e Mitrovicës është arritur pajtim gjyqësor në rastin ku Byroja Kosovare e Sigurimeve kërkon rimbursimin e dëmit të shkaktuar në aksidentin e trafikut. Sipas padisë, Mehdi Bajrami në prill të vitit 2013 në Shupkovc të Mitrovicës kishte shkaktuar aksident trafiku. Deri tek aksidenti kishte ardhur kur automjeti i evidentuar me shkronjën A në padi, të cilën e drejtonte i padituri Mehdi Bajrami, nga pakujdesia shkakton aksident, duke i shkaktuar dëme të dëmtuarës Shkurte Muja. Bazuar në padi, automjeti i cili kishte qenë shkaktar i automjetit, kishte qenë pa mbulesë siguruese, respektivisht me afat të skaduar të policës së sigurimit. Pas këtij aksidenti BSK e kishte kompensuar dëmin material dhe jomaterial që e dëmtuara Shkurte Muja e kishte pësuar si rezultat i këtij aksidenti. Ndërsa tash BSK përmes padisë kërkon nga i padituri rimbursimin e shumës prej 430.00 euro, në emër të rimbursimit të dëmit të shkaktuar. Kurse në seancën e mbajtur palët paraprakisht kanë njoftuar Gjykatën së kishin biseduar jashtë seancës dhe se dëshironin të arrinin pajtim gjyqësor, përmes të cilit i padituri Mehdi Bajrami detyrohet që në emër të rimbursimit t’i paguajë Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BSK), shumën prej 430 euro. Ky pajtim gjyqësor u aprovua nga ana e gjyqatrit Naim Meholli. Meholli ka njoftuar palët se ky pajtim gjyqësor ka fuqinë e titullit ekzekutiv dhe nuk mund të goditet me ankesë. /kallxo.com