Ferizaj

Paga minimale në Kosovë, njëra sindikatë kërkon të jetë 400 euro e tjetra 350

By FerizajPress

February 05, 2022

Mbledhja Këshillit Ekonomiko-Social nga BSPK-ja rreth Ligjit të Pagave dhe pagës minimale në Kosovë, nuk po përkrahet nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat në Kosovë. Këta të fundit, thonë se as nuk janë ftuar e as nuk e njohin këtë këshill.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i quan njerëz joserioz dhe të fundit që duhet të flasin për pagën minimale në Kosovë. Teksa ka folur për pagën minimale në Kosovë, Azemi u shpreh se si sindikatë nuk njohin asnjë pagë që është nën 400 euro.

“Ne si sindikatë e sektorit privat të Kosovës nuk e njohim këtë Këshill Ekonomiko-Social, gjegjësisht përbërjen nga BSP-ja pasi që atje janë njerëz jo serioz, njerëz të cilët nuk kanë të bëjnë me pagën minimale. Janë njerëz të cilët më së pakti kanë të bëjnë me këtë pagë dhe ne e kemi thënë fjalën tonë, çdo pagë, çdo këshill kushdo qoftë që nënshkruan pagë minimale nën 400 euro në Kosovë, le t’i mbetet atyre ta vlerësojnë përndryshe sindikata e sektorit privat të Kosovës nuk njeh asnjë pagë minimale nën pagën 400 euro”, ka thënë Azemi.

Azemi tha se BSPK-ja është privatizuar dhe se po udhëhiqet nga dy degë jo serioze, teksa shton se institucionet qeverisëse nuk e dinë se kush është përfaqësues i BSPK-së.

“Andaj ne e kemi thënë, ju nënshkruani çfarë të doni por ne i kemi ftuar punëtorët e sektorit privat që asnjë punëtor të mos nënshkruaj kontratë pune me pagë nën 400 euro. Pasi që ata që nënshkruajnë në emër të tyre, ata nuk e ndiejnë varfërinë, ata dinë të jetojnë në kolltukët e tyre asgjë më shumë”, ka thënë Azemi për EO.

Azemi shtoi se nuk pranojnë pagë minimale e cila mund të jetë nën 250 euro, teksa thotë se e kanë legjitimitetin nga punëtorët e sektorit privat që të mos e nënshkruajnë nën 250 euro.

“Kemi njoftuar edhe zyrtarisht edhe përmes mediave që punëtorët e sektorit privat të Kosovës duan një pagë të dinjitetshme dhe nuk duan një lëmoshë e një lajthitje ashtu siç e kemi pasur deri më tani. Kemi pasur një shpjegim që gjoja se ne kur kemi kërkuar 350 euro, shuma e pagës 170 euro që ata po thonë tani do ta bëjnë në 250 euro do të paguhen edhe kontributet për punëtorët e sektorit privat që përafërsisht paga bruto mund ti bije diku rreth 280-290 euro. Por, megjithatë ne kemi qenë të gatshëm që ta nënshkruajmë këtë pagë para një viti kur çmimet kanë qenë më stabile, më serioze. Tani në këtë kohë kur kemi gjithë këtë shtrenjtim, në bazë të shpenzimeve së jetës së njeriut duhet të rritet edhe paga minimale”, ka thënë Azemi.

Ndryshe nga Azemi mendon kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli. Ai thotë se paga minimale duhet të jetë 350 euro, për të cilën thotë se Këshilli Ekonomiko-Social e ka mandatuar komisionin për shumë çështje, ndër to edhe paga minimale.

“Deri në fund të muajit shkurt ata duhet të na sjellin një rekomandim po lëvizja e çmimeve, lëvizja e shportave të qytetarëve, për punonjësit e Kosovës dallon nga paga që thuhet 250 euro. Ne si BSPK kemi ardhur në përfundim se paga minimale nuk duhet të jetë më pak se 350 euro”, ka thënë ai.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Hykolli tha se reagimet e qeverisë e institucioneve sa i përket kërkesës për pagën minimale duhet të jenë në raport me zhvillimet në Kosovë, në raport me çmimet e pagat.

“Çdo diskutim që do të jetë për pagën minimale nën 350 euro ne si BSPK e vlerësojmë që është e vogël”, ka thënë Hykolli./ EO