Lajme

Pacolli refuzohet nga VV-ja dhe AAK-ja rreth propozimit qeveri gjithëpërfshirëse

By FerizajPress

July 15, 2017

Ai ka thënë se marrëveshja e tij parasheh krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse me afat njëvjeçar, e cila do të përfundonte disa tema që ka Kosova para vetes. Por, kjo ide e Pacollit është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje! dhe nga AAK-ja.Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Sami Kurteshi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në asnjë rrethanë aktuale, as politike, as ekonomike, as shoqërore, as religjioze, as etnike e as linguistike nuk kërkon dhe nuk e lejon një sistem qeverisës konzocionalist në Kosovë. “Një sistem i tillë, para një uniteti fals për ndarjen e posteve, kërkon ndarjen e përgjegjësive dhe punëve midis entiteteve dhe grupeve të ndryshme shoqërore, pas ndarjes së qartë të përgjegjësive për dështimet në ndërtimin e shtetit. Një sistem i pajtimit të gjithëmbarshëm kërkon përmbushjen e parakushteve të domosdoshme për një sistem të tillë, pajtimin me drejtësi, që domethënë pa krime të pandëshkuara. Kosova nuk është në rrethana të tilla. Kosova mund dhe duhet të krijojë rrethana të tilla në të ardhmen, të cilën duhet dhe mund ta krijojmë ne, në një të ardhme të ndritshme”, ka thënë Kurteshi.Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kundërshtuar propozimin e Pacollit për një qeveri gjithëpërfshirëse, ku për këtë ide ka kërkuar fillimisht mbajtjen e një tryeze të përbashkët me të gjithë liderët politikë. “Sa iu përket kërkesave të subjekteve politike, në këtë rast edhe të z. Pacolli, ne mendojmë se tani vendi kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe nuk kemi kohë për tryeza të tilla për t’i zgjatur proceset. Prandaj, z. Haradinaj, më herët u ka bërë ftesë subjekteve politike për t’u takuar dhe për të diskutuar, në mënyrë që ta kemi një mbështetje më të gjerë të Qeverisë, mirëpo deri më tani me keqardhje e themi se për inate personale kemi mbetur larg asaj që e kemi dëshiruar. Tani z. Haradinaj është i vendosur që në kohën më të shkurtër të mundshme t’i formojë institucionet, përkatësisht qeverinë e re, sepse vendi më nuk pret”, ka thënë Lekaj.